Maqedoni

Meta: takimet ndihmojnë koordinimin e shqiptarëve në rajon

21.01.2015 15:57

Shqipëria mbështet të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptar për të forcuar stabilitetin në Maqedoni..

Shqipëria mbështet të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptar për të forcuar stabilitetin në Maqedoni, posaçërisht integrimin e shqiptarëve në të gjitha institucionet dhe realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të Marrëveshjes së Ohrit. 
 
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shkup takoi liderët e partive politike parlamentare.
 
Në takimin me kryetarin e PDSh-së, Mendu Thaçin, janë këmbyer ide për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, për stabilitetin dhe për të ardhmen e Maqedonisë.  
 
“Ky takim në vazhdën e takimeve tona sistematike na ndihmon për të koordinuar më mirë të gjitha ato tema, të cilat janë prioritare për shqiptarët kudo që jetojnë, me qëllimin kryesor afirmimin e tyre si një faktor stabilizues, si një faktor integrues dhe evropianizues për të gjithë rajonin. Njëkohësisht, për të shtuar mbështetjen për Maqedoninë Perëndimore, si në drejtim të buxhetit, si në drejtim të investimeve të huaja, pasi dihet që problemet sociale, veçanërisht ai i papunësisë është një problem mjaft i mprehtë”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Ndërkaq, kreu i PDSh-së, Mendu Thaçi, ka premtuar se partia që drejton do të vazhdojë të bëjë opozitën konstruktive.   
 
“I thashë shqetësimet e mia për Maqedoninë, që është në një proces të bllokimit total të dy çështjeve fundamentale, që e garantojnë mbijetesën e Maqedonisë, integrimin në BE dhe NATO dhe çështjen e raporteve ndëretnike apo realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve. Nuk kam ndonjë shpresë se situata do të mund të përmirësohet shpejtë”- tha kryetari i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Në takimin me kreun e opozitës maqedonase, Zoran Zaevin, kryetari i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka diskutuar ngjarjet aktuale në rajon dhe problemet me të cilat përballen vendet në rrugën eurointegruese.
 
“Zaev dhe Meta shkëmbyen mendime për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vendeve”- thuhet në kumtesën e LSDM-së. 
 
Në këtë drejtim, Ilir Meta me një delegacion biznesmenësh shqiptar do të realizojë një vizitë në Strumicë, ku do të shikoheshin mundësitë për zhvillim shtesë në sferën e bujqësisë.
 
SHPËTIM NUREDINI