Maqedoni
Aksident automobilistik, lëndohet lideri i BDI-së, gjendja e tij stabile
21.01.2015 16:52
Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në mëngjes ka pësuar një aksident në rrugën Gostivar-Tetovë...

Kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në mëngjes ka pësuar një aksident në rrugën Gostivar-Tetovë, në pikëpagesën rrugore në afërsi të Gostivarit.
Pas aksidentit ai është pranuar në Spitalin Klinik të Tetovës bashkë me shoferin e tij. Kreu i BDI-së dhe shoferi i tij janë në gjendje stabile shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetë, thonë mjekët në Repartin Intensiv të Neurokirurgjisë në Tetovë.
“Kryetari Ahmeti ka lëndime të lehta trupore të përgjithshme, por në kokë nuk është i lënduar, është komunikativ, me vetëdije dhe nuk ka asnjë lloj rreziku për jetë. Për sa i përket shoferit të tij, mesa dëgjova shoferi i z.Ali Ahmetit është pak më tepër i lënduar në kokë, por përsëri në gjendje stabile dhe ne e përcjellim gjatë gjithë kohës, por nëse ka nevojë ne e kemi edhe aparaturën edhe teknologjinë dhe në çdo kohë mund të intervenojmë”– deklaroi neurokirurgu në Spitalin Klinik të Tetovës, Destan Haliti.
Shkak i aksidentit ka qenë shmangia e veturës për të mos u përplasur me veturat e tjera dhe për shkak të pamjes jo të dukshme mirë nga mjegulla. Kjo ka bërë që shoferi të përplaset pas stubave të betonit në pikpagesën rrugore.
“Aksidenti ka ndodhur në hyrje të Tetovës, ku gjatë shmangies për t’u përplasur me veturat e tjera për shkak të pamjes jo mirë të dukshme nga mjegulla, ata janë aksidentuar në bankinën e pikës pagesore. Gjendja e tyre është stabile dhe nuk është e rrezikshme për jetën”- tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ishte nisur për takimin me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Metën. Por, pas aksidentit, takimi mes Ali Ahmetit dhe Ilir Metës u realizua në Spitalin Klinik të Tetovës.
“Nuk mund ta mbyllja këtë vizitë në Maqedoni pa u takuar me liderin e BDI-së dhe mikun tim, Ali Ahmeti. Më vjen keq që takimi nuk ndodhi aty ku ishte planifikuar, por këtu në Spitalin e Tetovës, pasi për fat të keq z.Ahmeti pësoi një aksident, por për fat të mirë shëndeti i tij dhe i shoferit të tij duket që është tashmë në një gjendje më të përmirësuar dhe i kam uruar të shkuara dhe njëkohësisht i kam shprehur solidaritetin tonë më të plotë për këtë aksident, ashtu sikurse dihet që pikëpamjet tona me z.Ahmetin janë në sintoni të plotë për sa i përket situatës në Maqedoni, perspektivës së Maqedonisë për anëtarësimin e saj në NATO, për proceset integruese, por edhe angazhimit të BDI-së dhe faktorit shqiptar për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni”- u shpreh kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Rasti është hetuar edhe nga prokurori publik dhe ekipet e krim-teknikës nga Shkupi dhe Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë.
MIFTAR EMINI
