Maqedoni
Koalicioni qeverisës, Kovaçevski: Shumica stabile, s’ka rrezik
27.09.2022 14:49
Kryeministri Dimitar Kovaçevski siguron se koalicioni me BDI – në është stabil pas përçarjes publike të shpalosur nga disa anëtarë të BDI-së....

Kryeministri Dimitar Kovaçevski siguron se koalicioni me BDI – në është stabil pas përçarjes publike të shpalosur nga disa anëtarë të BDI-së. Kovaçevski thotë se nuk rrezikohet as shumica parlamentare edhe pse dy nga nënshkruesit e letrës publike për kthimin e unitetit në parti janë deputetë.
“Stabil është koalicioni me BDI-në. Nuk ka rrezik nga humbja e shumicës në parlament.”,- tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Edhe nga BDI mohojnë të ketë përçarje dhe thonë se janë strukturë kompakte politike. Por nga Aleanca për Shqiptarët konsiderojnë se problemi është më i thellë dhe se BDI po shkon drejt ndarjes.
Ndërkohë me gjithë lëkundjet në ekzkutiv, tanimë disa ditë qeveria po funksion pa ministrin e Vetëqeversijes Lokale Goran Milevski i cili u dorëhoq nga detyra për arsye personale. Kovaçevski pret propozimin e PLD-së.
“Ministrija e Vetëqeverisjes Lokale, për ndarjen e resorëve dhe përgjegjësive është obligim i PLD-së, dhe atëherë kur kjo parti do të propozojë personin i cili do të zëvendësojë ministrin që dha dorëheqje, atëherë propozimi do të dorëzohet në kuvend.”,- theksoi kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Rashidi: Vazhdojmë si opozitë
Të pyetur për mundësinë e përfshirjes në qeveri nga Aleanca për Shqiptarët thonë se vazhdojnë të veprojnë si opozitë, pa e përjashtuar mundësinë e shqyrtimit të një oferte të tillë.
“Një çështje e tillë nuk është diskutuar në strukturat udhëheqëse të partisë. Ne jemi në një fazë kalimtare para kongresit të partisë, kemi zgjedhur ushtrues detyre dhe kemi një trup kordinues, një Komision për Organizimin e Kongresit dhe ky trup, udhëheqës i partisë i ka të gjitha kompetencat të diskutojë dhe të flasë për gjitha këto çështje deri në kongres.”,- u shpreh deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
Ministria për Vetëqeverisje Lokale: PLD në fund të javës propozon ministrin e ri
Nga PLD pohojnë se deri në fund të javës do të publikojnë emrin e ministrit të ri. Në opinion flitet për emërimin e Risto Penov - ish kryetar i Qytetit të Shkupit, nga i cili PLD pret përgjigjen pas ofertës së bërë.
MERAL ISMAILI
