Maqedoni
ASh: Grubi e Rrustemi tender kompanisë me kapital rus
27.09.2022 15:19
ASh-ja ka akuzuar zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, dhe drejtorin e Rrugëve Shtetërore, Ejup Rrustemin...

ASh-ja ka akuzuar zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, dhe drejtorin e Rrugëve Shtetërore, Ejup Rrustemin, se kanë rrezikuar sigurinë kombëtare duke ua dhënë oligarkëve rusë IGh tenderin për mbikëqyrjen e ndërtimit të koridoreve 8 dhe 10. Nga kjo parti kanë kërkuar dorëheqjen e tyre dhe hetim nga Prokuroria.
“Zëvendëskryeministri Grubi këto ditë konfirmoi raportimet mediatike se Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore i ka dhënë tenderin për mbykqyrjen e ndërtimit të koridoreve 8 dhe 10 një kompanie me kapital rus. Konsorciumi i përzgjedhur për këtë tender udhëhiqej nga instituti IGH me seli në Zagreb dhe pronë e oligarkëve rusë të afërt me pushtetin e Vladimir Putinit dhe FSB-në ruse.
Fatmirësisht, kontrata dështoi sepse Instituti IGH nuk depozitoi me kohë garancinë bankare të paraparë në kontratë, me shum gjasa për shkak të bllokimit të aseteve si pasojë e sanksioneve financiare ndaj Rusisë. Por kjo nuk e zhbën këtë skandal të përmasave të papara deri më tani.”,- tha Surija Rashidi nga ASh.
Sipas ASh-së, partneri i IGh-së, Instituti për Rrugë - Veles është ndërmarrje e vogël e themeluar në vitin 2021 me një depozitë prej 5 mijë euro dhe për të cilën nuk ka të dhëna financiare. Nga databaza e prokurimeve publike rezulton se kjo kompani deri më tani ka marrë dy tenderë nga Rrugët Shtetërre për mbykqyrjen e projekteve ndërtuese thonë nga ASh.
NAIM RAMADANI
