Maqedoni

Ndotja e ajrit, mjekët me apel: mos dilni pa nevojë

21.01.2015 17:27

Shifra alarmante mbi ndotjen e ajrit në vend. Të dhënat nga Ministria e Ambientit Jetësor flasin se grimcat PM10 tejkalojnë kufijtë e normales...

Shifra alarmante mbi ndotjen e ajrit në vend. Të dhënat nga Ministria e Ambientit Jetësor flasin se grimcat PM10 tejkalojnë kufijtë e normales, arrijnë në 50 mikrogram në metër kub.
 
Shkupi, Tetova dhe Kërçova kryesojnë listën e vendbanimeve më të ndotura. Pas tyre vijnë qytetet: Velesi, Koçani, Kavadari dhe Manastiri. Sasia e grimcave PH10 në Shkup lëviz nga 250 deri në 300 mikrogram, ndërsa në Tetovë është 300 mikrogram.
 
Mbi 200 është edhe në Kërçovë. Sipas analizave të bëra thuhet se ndotja nuk vjen vetëm si pasojë e industrisë së pakontrolluar, por edhe nga lëshimi i këtyre grimcave nga djegia e drurit për ngrohje dhe nga makinat.
 
Nga Qyteti i Shkupit kanë ndërmarrë disa masa preventive. Ata rekomandojnë që qytetarët të mos shfrytëzojnë makinat e tyre pa nevojë, gjatë ngrohjes së shtëpive të mos shfrytëzojnë mbetje të drurit, gomë dhe materiale sintetike.
 
Në listën e rekomandimeve thuhet që qytetarët të mos dalin pa nevojë në ambiente të hapura.
 
Sipas mjekëve, periudha më e preferueshme brenda ditës kur qytetarët mund të dalin në rast nevoje është prej orës 11 deri në ora 3 pasdite, e assesi në orët e mëngjesit kur mjegullat janë në nivele të ulëta atmosferike. 
 
“U rekomandojmë popullatës apo pacientëve të rrinë nëpër shtëpitë e veta, mos t’i hapin dritaret derisa të kalojë kriza edhe nëse janë të sëmurë, apo kanë ndonjë manifestim, apo ndonjë simptomë, do të duhet të vijnë te mjeku, atëherë ne i kontrollojmë dhe u japim terapinë e duhur. Si ushqim më preferues gjatë stinës së dimrit dhe si antioksidant më i mirë për pacientët i kemi frutat e dimrit, siç janë: mollët, ftoi, karotat, kemi lakrën dhe si ushqim preferues është edhe grosha, pasi që është antioksidanti më i mirë gjatë stinës së ftohtë së vitit”- deklaroi mjekja, Sefjana Bellçishta.
 
Shpresëdhënëse janë parashikimet e sinoptikanëve. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se deri në fund të javës të ketë reshje shiu dhe erë që do të ndikonte sadopak në uljen e grimcave të dëmshme në ajër.
 
MERAL ISMAILI