Maqedoni
Eurointegrimet, anketa: ulet mbështetja e qytetarëve
21.01.2015 17:29
Integrimi i Maqedonisë në BE vazhdon të gëzojë mbështetjen e qytetarëve dhe grupeve shoqërore, ndonëse niveli i kësaj mbështetje ka shënuar ulje në raport me vitet 1999...

Këto janë të dhënat e fundit të publikimit në temë “Opinioni publik dhe procesi i aderimit të Maqedonisë në BE”. Sipas këtij publikimi, nga viti 1999 deri në vitin 2014 shihet një rënie prej afro 30%.
“Nëse në shtator të vitit 1999 kemi pasur përkrahje prej rreth 96-97 % për qind, që është përkrahje e madhe, menjëherë shohim se në vitin 2010 kemi rënie konstante. Në anketën e fundit në vitin 2014 bie në më shumë se 20 për qind edhe atë në 72%. Kjo mbështetje mbetet konstante në të gjithë vitin 2014, edhe në shtator edhe në maj”- deklaroi profesori universitar, Ivan Damjanovski.
Procesi integrues i vendit përbën një fenomen shoqëror kompleks, ku qytetarët shpeshherë nuk janë në gjendje të zhvillojnë një pasqyrë të pavarur, për këtë qëllim ata mendimin e tyre e bazojnë në bazë të pozicioneve që ua servojnë partitë politike.
Robert Lidell nga zyra e Bashkimit Evropian konsideron se debatet e këtij lloji janë në favor të vetë procesit, duke e vënë theksin në reformat e vendit.
“Mirë është të lidhen diskutimet edhe në Bruksel edhe këtu në aspektin se si trajtohen këto tema dhe probleme. Procesi i reformave është shumë i rëndësishëm, madje edhe para se të hapen negociatat për anëtarësim”- tha Robert Hidell nga Delegacioni Evropian në Shkup.
Publikimi “Opinioni publik dhe procesi i aderimit të Maqedonisë në BE” është realizuar nga Fondacioni “Konorad Adanauer” dhe Instituti për Demokraci “Sosietas Civil”.
FARIJE DAUTI-BAKIU
