Referendumi në rajonet e pushtuara, Rusia pretendon fitoren me 99% vota pro

28.09.2022 13:00

Zyrtarët e instaluar nga Moska në territoret e pushtuara në Ukrainë....

Zyrtarët e instaluar nga Moska në territoret e pushtuara në Ukrainë, pretendojnë se gati të gjithë votuesit në të ashtuquajturin referendum për pavarësi, kanë mbështetur bashkimin me Rusinë. Agjencitë e lajmeve të kontrolluara nga Kremlini, raportojnë se 99 përqind e qytetarëve votuan në favor të bashkimit me Rusinë.

Në Donjetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, 4 milionë njerëz u thirrën të merrnin pjesë në referendum, disa prej të cilëve nën kërcënimin e armëve.

“Referendumet u zhvilluan... kemi një rezultat kolosal. E kemi ëndërruar këtë që në 2014-n dhe më në fund dita historike erdhi. Po ribashkohemi me tokën mëmë, me Rusinë e madhe.”,- tha kreu i Republikës së Vetëshpallur të Donetskut, Denis Pushilin.

Referendumi në rajonet e pushtuara, Zelensky: Shkelje brutale e kartës së OKB-së

Në një fjalim për këshillin e sigurimit mbrëmjen e së martës, presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për shkelje brutale të kartës së OKB dhe bëri thirrje për izolimin e saj.

“Aneksimi i territoreve të kapura, është shkelja më brutale e Kartës së OKB-së, është një përpjekje për të grabitur territorin e një vendi tjetër, për të fshirë normat e ligjit ndërkombëtar. Ekziston vetëm një mënyrë për ta ndalur këtë,  izolimi i Rusisë në përgjigje të gjithçkaje që bën.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

ShBA, BE dhe NATO dënojnë Rusinë, rezolutë në OKB kundër referendumeve

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qarkulluar një draft-rezolutë mes vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ku dënohen referendumet, e u bëhet thirrje vendeve të mos njohin statusin e ndryshuar të Ukrainës dhe ta detyrojnë Rusinë të tërheqë forcat.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u zotua se Perëndimi nuk do ta njohë kurrë aneksimin e territorit ukrainas nga Rusia dhe paralajmëroi masa shtesë me pasoja të rënda.  

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se referendumet e rreme, retorika bërthamore, e kombinuar me mobilizimin e forcave të armatosura në Rusi,  është një përshkallëzim serioz i konfliktit.

Ka spekulime se presidenti rus Vladimir Putin mund të njoftojë aneksimin e 4 rajoneve në një fjalim në parlament të  premten, ashtu siç bëri me Krimenë në 2014-n.

Nëse Rusia do të aneksojë rajonet, që përbëjnë 15 përqind të territorit ukrainas, lufta do të kalonte në një nivel  të rrezikshëm, pasi Moska do të konsiderojë çdo përpjekje për rimarrjen e tyre si sulm ndaj territorit të saj sovran. (Rexhep Qamili, TVM2)