NATO mesazh Putinit: Lufta bërthamore nuk ka fitues, do të kesh pasoja të rënda
Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia....

Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia është i papranueshëm dhe do të ketë pasoja të rënda. Ky është paralajmërimi që vjen për Vladimir Putin nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Rusia duhet ta dijë se lufta bërthamore nuk fitohet dot dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Nuk po them që mundësia e përdorimit të armëve bërthamore është e lartë, por po them që kur shohim vazhdimisht këtë lloj retorike bërthamore nga Rusia, nga Presidenti Putin, duhet ta marrim seriozisht dhe për këtë arsye po i përcjellim mesazhin e qartë që do të ketë pasoja të rënda për Rusinë dhe që nuk duhet të zhvillohet kurrë një luftë bërthamore”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Reagimi erdhi pas deklaratave të së martës për përdorim të armëve bërthamore me rreze të shkurtër, të bëra nga ish-presidenti dhe ish-kryeministri rus, Dimitry Medvedev, i cili si një aleat i ngushtë i Putinit, mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Rusi.
Sipas analistëve, gatishmëria për përdorimin e këtyre armëve, e cila po shprehet thuajse përditë nga pala ruse, bëhet për të zmbrapsur Ukrainën dhe Perëndimin, pasi ushtria e Kievit ka fituar terren të konsiderueshëm në lindje, ku edhe po zhvillohen betejat më të mëdha.
