Maqedoni
Nisma e së Majtës për referendum, Musliu: Teori që fundos kohezionin e brendshëm
28.09.2022 13:46
Ndryshimet kushtetuese janë me rëndësi të madhe për vendin në rrugën integruese...

Ndryshimet kushtetuese janë me rëndësi të madhe për vendin në rrugën integruese, secili që del kundër tyre rrezikon interesat shtetërore, vlerësuan panelistët në “Argument” në TVM2. Duke komentuar nismën për referendum të partisë “E majta”, analisti Albert Musliu tha se shteti duhet të merret seriozisht me iniciativa të tilla dhe mos të lejojë që qarqe të caktuara, të cilat për qëllim kanë vetëm destabilizim e shtetit dhe nxitjen e tensioneve,të dalin në sipërfaqe.
“Nuk mund që ato të promovojnë këtu teori të cilat realisht e fundosin kohezionin e brendshëm. Shqiptarët janë kundër atij orientimi pro-rus. Çdo insistim për orientim pro-rus do të prodhoj tensione të brendshme. Tash shqiptarët nuk janë një grusht njerëz që ti lëmë që ky shtet si në 1946-n t’i bashkangjitet Bashkimit Sovjetik dhe ne të rrijmë dhe të themi s’kemi çfarë të bëjmë. Faktikisht ajo sjell tensione të brendshme.”,- tha analisti politik, Albert Musliu.
Hapja e kushtetutës, Mehmeti: Momenti për heqjen e emërtimit 20%
Analisti Ibrahim Mehmeti, i sheh si të dështuara nismat e tilla. Ai madje mendon se edhe një grup i caktuar në VMRO-DPMNE do të reflektojë dhe do votojë ndryshimet kushtetuese. Por, apelon që tani përfundimisht partitë shqiptare të insistojnë në heqjen e 20% si emërtim pë shqiptarët dhe gjuhën shqipe nga Kushtetuta
“Mendoj se me të vërtetë kjo do të jetë një shans apo një moment që të zgjidhet edhe problemi i emërimit të gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve si komunitet. Unë mendoj se është non-sens të vazhdohet kjo, sepse Kushtetuta nuk hapet çdoherë kur ke dëshirë, tani mendoj se është rasti.”,- tha analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Analistët komentuan edhe zhvillimet e fundit në BDI të cilat i vlerësojnë si debate brendapartiake pa ndikim për ndonjë destabilizimin politik apo prishjen e shumicës parlamentare.
ERSAN PAJAZITI
