Maqedoni
AQLIKP: EMV, institucioni më jotransparent
28.09.2022 15:06
Elektro-Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është institucioni më jotransparent....

Elektro-Ekonomia e Maqedonisë së Veriut është institucioni më jotransparent, tregojnë të dhënat e publikuara nga Agjencia për Qasje të Lirë te Informatat me Karakter Publik në prezantimin e analizës për zbatimin e ligjit. Sipas tyre, tek institucionet e tjera ka trend të rritjes së transparencës. Ministria e Mbrojtjes, e Financave, ajo e Shoqërisë Informatike dhe Qeveria janë ndër institucionet më transparente shtetërore.
“Problem kemi me Sh. A. EEM sepse për shkak të krizës energjetike kemi më shumë kërkesa drejtuar atyre, por për fat të keq në vend se të veprojnë sipas vendimeve tona, ata kanë ngritur kontest administrativ.”,- tha Pllamenka Bojçeva nga AQLIKP.
Nuhiu: Rrekjuni me seriozitet përfaqësimit të drejtë etnik
Por, teksa analizojnë institucionet e tjera, zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu, përkujtoi drejtuesit e Agjencisë për detyrimin edhe të zbatimit të përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe të Ligjit për gjuhët.
“Dua të bëj thirrje të gjithëve përfshirë edhe stafin udhëheqës të Agjencisë që me përkushtimin më të madh t’i rreket edhe zbatimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat si masë afirmative që ka për qëllim të eliminojë një diskriminim në fushën e marrëdhënies së punës. Të gjithë ne e dimë se kjo masë afirmative ka të bëjë me kthimin e borxhit që ka shteti ndaj pjesëtarëve të bashkësive tjera etnike në organet dhe institucionet e sistemit të shtetit, dhe e dyta, duhet qasje më kualitative ashtu siç e kemi kuadrin kushtetues dhe ligjor për zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha segmentet.”,- tha zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu.
Danillovska Bajdevska: Më shumë buxhet për të zbatuar kompetencat
Nga kjo agjenci kërkojnë rritje buxheti për të zbatuar kompetencat ligjore.
“Të rritet buxheti i Agjencisë që t’i plotësojë komptencat e saj në tërësi, të edukojë qytetarët se kanë të drejtë për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, sepse shihet se nga vullneti politik i disa organeve varet edhe qasja e lirë deri te informata me karakter publik.”,- u shpreh autorja e analizës, Dançe Danillovska Bajdevska.
Në Ditën Ndërkombëtare për Qasje deri te Informatat me karakter publik, nga agjencia thonë se që nga viti 2006, kur është miratuar Ligji përkatës, disa probleme vazhdojnë tgë përsëriten jo vetëm me institucionet, si posedues të informacionit por edhe me kërkuesit e atij informacioni.
FLUTURA LATIFI
