Maqedoni

Greva, SASHK-u rrit përkrahjen, presionet vazhdojnë

21.01.2015 17:47

Solidarizimi me grevën e SASHK-ut vazhdon edhe gjatë ditës së sotme...

Pothuajse të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Shkup iu bashkëngjitën grevës.
 
Arsimtarët janë decid, greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre legjitime. Korridore dhe klasa të boshatisura regjistroi edhe gjatë ditës së sotme objektivi i kamerës sonë.
 
“Greva do të vazhdojë deri kur të arrihet marrëveshja mes sindikatës dhe ministrisë. Jo, deri në këto momente nuk ka zëvendësime”- tha arsimtarja Semije Islami nga SHF “Hasan Prishtina”.
 
“Greva në shkollën tonë vazhdon dhe të gjithë punëtorët erdhën në mëngjes në shkollë dhe do vazhdojmë grevën deri sa qeveria dhe ministria të arrijnë marrëveshje me SASHK-un. Deri më tani nuk kemi zëvendësime”- deklaroi Ismet Jakupi nga SHF “Liria”.
 
Nënkryetari i SASHK-ut, Ilirjan Çavolli, thotë se presionet për të penguar grevën janë të mëdha dhe vijnë jo vetëm nga krerë komunash e drejtorë shkollash, por edhe nga inspektorët e arsimit të komunave.
 
“Ne kemi të drejtat tona, nuk jemi as kundër politikës e as kundër pushtetit, por erdhi inspektori i Gazi Babës, i cili në çdo mënyrë deshi të na nxjerrë jashtë shkollës nga zyrat e arsimtarëve”- u shpreh nënkryetari i SASHK-ut, Ilirian Çavolli.
 
Mësuesit thonë se edhe më tej do të paraqiten në vendin e punës, por mësim nuk do të zhvillojnë. 
 
Por, nga SASHK-u thonë se në disa shkolla veç më janë sjellë arsimtarë që po zëvendësojnë kolegët e tyre grevistë. Janë evidentuar edhe raste të tilla kur arsimtari i artit ligjëron histori, mirëpo anëtarësia e SASHK-ut edhe përkundër presioneve të natyrave të ndryshme nuk do të ndërpres grevën deri në plotësimin e gjashtë kërkesave të parashtruara.
 
FLUTURA LATIFI