Maqedoni

Kuvend, shtyhet për të premten debati për kushtetutën

21.01.2015 17:49

Kuvendi ka vazhduar debatin për amendamentet e propozuara të qeverisë për ndryshimet kushtetuese, por pa prezencën e deputetëve të BDI-së...

Kuvendi ka vazhduar debatin për amendamentet e propozuara të qeverisë për ndryshimet kushtetuese, por pa prezencën e deputetëve të BDI-së, të cilët kanë munguar sot për shkak të aksidentit që pësoi lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti.

Gjatë ditës së sotme fjalime për amendamentet e propozuara kanë mbajtur deputetet e VMRO-DPMNE-së dhe të partive të cilët janë pjesë e koalicionit të saj.

Debati është zhvilluar për vërtetimin e teksteve të amendamenteve, por në mungesë të deputetëve të shumicës shqiptare nuk është siguruar kuorum për votimin e tyre.

Miratimi final i amendamenteve kushtetuese bëhet me mbështetjen e 2/3 të deputetëve të kuvendit, por për momentin ky kusht nuk do të mund të plotësohet në qoftë se në sallë, përveç deputetëve të VMRO-DPMNE-së,  nuk ndodhen edhe të gjithë deputetët e BDI-së dhe vetë kryetari, Ali Ahmeti, pasi PDSH-ja nuk do t’i mbështesë këto ndryshime kushtetuese me arsyetimin se nuk janë me prioritet të dorës së parë dhe nuk janë në interes edhe të shqiptarëve në Maqedoni.

Amendamentet nuk do të mbështeten edhe nga tre deputetet e pavarura të opozitës maqedonase. Për këtë arsye, gjatë seancës së sotme kryetari i kuvendit ka dhënë më tepër pauza, madje edhe me kërkesë të koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, me qëllim që të krijohet hapësirë që deputetët e BDI-së të mund të arrijnë në seancë.

Seanca tërësisht është ndërprerë në orët e pasdites dhe është caktuar për të premten. Qeveria ka propozuar amendamente për ndryshime kushtetuese, me të cilat bëhet përkufizimi i martesës, mundësia për themelimin e zonave financiare ndërkombëtare, për ankesën kushtetuese, por edhe për ndryshimin e emrit të Bankës Popullore të Maqedonisë në “Banka e Maqedonisë”.

MEFAIL ISMAILI