Uragani “IAN” godet Floridan, mbi 1 milion njerëz pa energji elektrike

29.09.2022 12:03

Uragani Ian “ u përplas” në gjirin e Floridas....

Uragani Ian “ u përplas” në gjirin e Floridas, me një forcë katastrofike, duke sjellë me vete erëra të forta, shira dhe stuhi, më të mëdhatë e më të fuqishme në vitet e fundit në Amerikë.

Duke u përplasur në Florida si një uragan i kategorisë së 4, me erëra deri në 240 km në orë, Ian shkatërroi bregdetin e Floridas dhe ka përmbytur thuajse të gjitha qytetet bregdetare.

Pas furisë së “IAN”, miliona banorë të Floridas kanë mbetur pa energji elektrike. Mijëra shtëpi e biznese janë përmbytur tashmë, rrugët janë shkatërruar e jeta duket sikur është paralizuar.

Guvernatori i Floridas, Ron De Santis, paralajmëroi qytetarët  që të përgatiten për disa ditë vërtet të vështira, ndërsa i kërkoi që të izolohen ku të munden, larg ujit që ka dalë kudo në qytete.

“Stuhia kërcënuese erdhi,  siç ishte parashikuar.  Kemi përmbytje të mëdha në shumë zona. E dinim se kjo do të ishte  një stuhi e fortë tropikale , që do të bëjë  shumë dëme. Kemi mbi 1.1 milion banorë që përballen me ndërprerje të energjisë elektrike, ekipet tona po punojnë por presim që edhe më tej të kemi probleme e më shumë ndërprerje të energjisë,  para se stuhia të zhvendoset në bregun e Atlantikut” – tha Guvernatori i Floridas, Ron Desants.

Uragani “IAN” godet SHBA-në, katër shtete shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Të premten parashikohet që Ian të zhvendoset më në veri dhe të forcohet. Xhorxhia, Karolina e Jugut, Karolina e Veriut dhe Virxhinia kanë shpallur tashmë  gjendjen e jashtëzakonshme në pritje të uraganit.

Në Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia, në kushtet e jashtëzakonshme është ndaluar edhe rritja e çmimeve dhe shtetet mund të vendosin burimet emergjente,  për t’u përgatitur për motin e mundshëm të rëndë në ditët në vijim. (Gyltene Sinani, TVM2)