Strugë, komuna merr masat për kursimin e energjisë, qytetarët: Nuk duhet të jetë errësirë

30.09.2022 13:33

Komuna e Strugës ka filluar të marrë masat....

Komuna e Strugës ka filluar të marrë masat për kursimin e energjisë elektrike. Ndër to është edhe çkyçja e ndriçimit rrugor në disa pjesë të qytetit dhe fshatra nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit.

Ka disa ditë që qyteti është në errësirë, në qendër të qytetit dritat janë të reduktuara, por jashtë janë fikur plotësisht.

Qytetarët ankohen, thonë se paguajnë në faturat e rrymës për ndriçimin rrugor, ndërsa thonë se nuk duhet të shuhen dritat për shkak se nuk është i sigurtë qyteti. “Qyteti nuk duhet të jetë në errësirë, sepse populli paguan për dritat e rrugëve, nëse i ndalin dritat duhet edhe taksat të mos i paguajmë. Por njerëzit edhe kan frikë të kalojnë sepse ka qen. “

“Nuk është mirë të shuhen dritat e rrugës, njerëzit dalin, shkojnë për vizita, duhet të ketë drita. Unë kam një shtëpi këtu, ka tre aparate të rrymës për dritat e rrugës, unë paguaj për të treja, në vend që të paguaj për një, paguaj për tre, duhet ta ndalin këtë.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar strugan.

Struganët gjithashtu janë shqetësuar edhe për faturat e larta të rrymës elektrike, thonë se kanë filluar të kursejnë.

“Në shtëpi ende s’kan ardhur faturat, dje i morën numrat. Për muajin që kaluam më erdhi 2000 denar më tepër.”

“Të them të drejtën për muajin gusht fatura ishte 200 denar më e lartë, por për këtë muaj ende nuk ka ardh fatura, pra për muajin 9 duhet të vijë, dhe nuk e dimë sa do të jetë, thonë që do të jetë shum e lartë, kemi filluar të kursejmë, kemi frikë, nuk përdorim më shumë rrymë, më shumë me gaz, sepse edhe drunjtë i kursejmë nuk e dimë si do të jetë dimri.”

“Për energjinë elektrike më shumë vijnë taksat se sa energjia elektrike, dmth nëse harxhon rrymë 500 den taksa vijn 1000 den, kemi frikë ti ndezim edhe bojlerët edhe makinën e teshave.” – u shprehën disa qytetarë të tjerë.

Në qëndrimin e komunës thuhet se këto vendime janë marrë për të kursyer energji elektrike dhe ti shmangin faturat e larta.

“Hapat e tillë ndërmerren për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe rritjes së faturave nga tre deri në katër herë, shumë kjo që nuk është parashikuar në buxhetin e Komunës për vitin 2022. Në 208 njësi matëse në të gjithë qytetin dhe fshatrat do të vendosen pajisje që do të kontrollojnë dhe masin konsumin e energjisë elektrike, të cilat do të eliminojnë abuzimet dhe njëkohësisht do të kursejnë para.” – thonë nga Komuna e Strugës.

Masat dhe rekomandimet për uljen e ndriçimit të rrugëve u morën nga qeveria, ndërsa komuna e Strugës iu bashkua kampanjës, që nga fundi i muajit gusht. (Ilmije Zhaku, TVM2)