Maqedoni
Agjencia turke "TIKA" premton investime të reja
21.01.2015 18:16
Investimet e realizuara deri më tani në Gostivar nga Agjencia turke “TIKA” dhe planet për investime të reja...

Investimet e realizuara deri më tani në Gostivar nga Agjencia turke “TIKA” dhe planet për investime të reja kanë qenë tema të bisedimeve të sodit mes kryetarit të Gostivarit, Nevzat Bejta, drejtorit të Agjencisë “TIKA” për Maqedoni, Teoman Tirjaki dhe ministrit pa resor në Qeverinë e Maqedonisë, Furkan Çako.
Me këtë rast, mysafirët u pritën nga vet kryetari Bejta, i cili falënderoi për ndihmën e dhënë deri më tani, duke njoftuar se janë edhe dy projekte të mundshme të cilat pritet të realizohen nga “TIKA”, si kanalizimi i ujërave të zeza në Banjicë të Epërme dhe një çerdhe për fëmijë.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë “TIKA” për Maqedoni, Teoman Tirjaki, theksoi se agjencia që drejton ai edhe në të ardhmen do të përkujdeset që të ndihmojë Komunën e Gostivarit, ndërsa për projektet e sotme të diskutuara me kreun Bejta, ai tha se të njëjtat do të realizohen pasi të shihet edhe mundësia nga terreni.
Në takim u theksua se kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta, ka rënë dakord që së bashku me ministrin pa resor, Furkan Çakon, në ditët e ardhshme të vizitojë Republikën e Turqisë.
Agjencia “TIKA” në Maqedoni ka filluar me aktivitete që nga viti 2005 dhe deri më tani vetëm në lëminë e arsimit ajo ka ndihmuar me një shumë mbi 13 milionë euro.
LULZIM HAZIRI
