Botë

Marrëdhëniet Turqi-Greqi po tensionohen më tej për Qipron dhe Ishujt e Egjeut

30.09.2022 21:39

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë për ishullin e ndarë të Qipros duket se po përshkallëzohen...

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë për ishullin e ndarë të Qipros duket se po përshkallëzohen.
 
Turqia thotë se po rrit praninë e saj ushtarake në ishull në përgjigje të heqjes së embargos së armëve nga Uashingtoni kundër administratës qipriote greke.
 
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu akuzoi SHBA se janë në anën e Greqisë duke thënë se është bërë lodër e Athinës në mosmarrëveshjen për Qipron.
 
“Ata që mbajnë anën e grekëve vetëm për t’iu bërë qejfin atyre nuk duhet të presin miqësi nga ne, sepse Turqia nuk do të përkulet para akteve të tilla. Turqia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në Qipro”, tha zoti Cavusoglu.
 
Ata që mbajnë anën e grekëve vetëm për t’iu bërë qejfin atyre nuk duhet të presin miqësi nga ne – Kryediplomati turk, Cavusoglu
 
Gjatë kësaj jave ai njoftoi se Turqia do të rrisë praninë e saj ushtarake në Qipro pasi Uashingtoni hoqi embargon e armëve ushtarake ndaj administratës qipriote greke.
 
Ky ishull i Mesdheut është i ndarë mes komuniteteve greke dhe turke qipriote, që nga viti 1974. Administrata greke e Qipros është e vetmja qeveri e njohur ndërkombëtarisht.
 
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price la të kuptohej së fundmi se i ofronte mbështetje Athinës në mes të tensioneve në rritje me Ankaranë mbi ishujt grekë në detin Egje.
 
“Sovraniteti i Greqisë mbi këta ishuj nuk vihet në pyetje. Por, ne u bëjmë thirrje vendeve, përfshirë aleatët tanë, të respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet”, tha zoti Price.
 
Sovraniteti i Greqisë mbi këta ishuj nuk vihet në pyetje – Ned Price
 
Ankaraja ka dënuar militarizimin e disa prej ishujve grek pranë brigjeve turke, për të cilat Turqia pretendon se shkelin një marrëveshje ndërkombëtare. Athina këmbëngul se po mbron vetëm territorin e saj nga kërcënimet turke.
 
Analisti politik Cengiz Aktar i Universitetit të Athinës thotë se qeveria greke është duke llogaritur se ka mbështetjen e Uashingtonit dhe nuk duket se ka për t’u tërhequr përballë asaj që e konsideron si bulizëm turk.
 
“Ka një shprehje në Greqi, mos i nënçmoni vendet e vogla. Ne tani e kemi shembullin e gjallë të Ukrainës dhe Rusisë. Dua të them, grekët janë gati”, vlerëson zoti Aktar.
 
Tensionet turko-greke nuk janë një gjë e re. Në vitin 1996 të dy vendet shkuan në prag të luftës për një ishull të pabanuar. Ndërhyrja e SHBA-së parandaloi një konflikt të hapur.
 
Por, me Turqinë që thotë se Greqia po përdor armë të furnizuara nga SHBA për të militarizuar ishujt e saj, vëzhguesit thonë se statusi i Uashingtonit si një ndërmjetës i sinqertë është vënë në pikëpyetje.
 
Asli Aydintasbas, bashkëpunëtor i Institutit “Brookings”, një grup kërkimor në Uashington, thotë se është i shqetësuar që vendet po i afrohen më shumë luftës.
 
Mjedisi global është shumë i pasigurt, kaotik dhe pothuajse i favorshëm për një konfrontim ushtarak midis Turqisë dhe Greqisë” – Aydintasbas.
 
“Unë mendoj se kjo është e rëndësishme dhe potencialisht shumë e rrezikshme. Është e qartë se të dy vendet e ndjejnë njëri-tjetrin si një kërcënim. Jemi mësuar me tensionime të herëpashershme të marrëdhënive, por mendoj se tani për tani, mjedisi global është shumë i pasigurt, kaotik dhe pothuajse i favorshëm për një konfrontim ushtarak midis Turqisë dhe Greqisë”, thotë për Zërin e Amerikës, zoti Aydintasbas.
 
Momentalisht, as Athina dhe as Ankaraja nuk duken gati të tërhiqen. Ministri i Jashtëm turk Cavusoglu tha të premten se Turqia është e përgatitur për të zgjidhur tensionet në mënyrë diplomatike, por paralajmëroi se Turqia nuk do të hezitonte të përdorte forcën, nëse diplomacia dështon dhe interesat turke kërcënohen./ Zëri i Amerikës