Maqedoni
Funksionimi i fraksioneve brenda partive, Selimi: Partitë s’kanë kapacitet për fraksione
01.10.2022 15:32
Partitë politike në vend ende nuk kanë kapacitet për të funksionuar me fraksione brenda vetes...

Partitë politike në vend ende nuk kanë kapacitet për të funksionuar me fraksione brenda vetes, pasi fenomeni i tillë paraqet një stad më të avancuar se sa niveli në të cilin gjenden subjektet politike. Sefer Selimi, drejtor i organizatës jo qeveritare për demokraci, thotë se partitë kanë probleme elementare me demokracinë e brendshme duke shkuar drejt kultit të liderit nga I cili ndërtohet platforma politike dhe kërkohen votat e qytetarëve.
“Tek ne program politik thuajse nuk lexohet fare, por e gjith fushata politike kur vjen për të kërkuar besimin e qytetarëve bëhet mbi figurat e liderëve mbi premtimet individuale dhe mbi interesat e klaneve dhe individëve të caktuar. Andaj funksionimi në fraksione është një nivel më I avancuar I demokracisë së brendshme për partitë politike, që tek ne thuajse është e pamundur të funksionoj”, u shpreh drejtori i “Democracy LAB”, Sefer Selimi.
Selimi: nevojitet demokratizim i partive
Sipas Selimit partitë do të duhet të fokusohen në zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe më pas të flitet për organizime edhe mbi fraksione brenda partive. Të njëjtat sipas tij nuk dëmtojnë funksionimin e partisë, por ndodh e kundërta që të pengohen për qëndrimet ndryshe.
“Brenda ideologjisë së përbashkët gjithsesi që ka forma të ndryshme dhe keni qëndrime të cilat janë më radikale, të cilat janë më liberale, të cilat janë më në qendër, të cilat mund të organizohen si fraksione brenda për brenda partisë, por nuk është rasti tek ne, sepse tek ne mungon demokracia elementare brenda për brenda partisë dhe në raste kur një funksionarë apo një anëtarë I dukshëm I partisë shpreh kritika mbi partinë, ai automatikisht persekutohet nga vetë partia për qëndrimet të cilat I mban ndryshe nga partia e tyre”, theksoi Selimi.
Si rrjedhojë e mungesës së demokracisë Selimi thotë se mendimi ndryshe ndikon jo vetëm në jetën politike të një partie por reflektohet në shoqërinë tonë, duke elektrizuar të njëjtën në forma të ndryshme.
MERAL ISMAILI
