Maqedoni

Pendarovski: IGB vjen në kohën e duhur

01.10.2022 15:54

Në Bullgari sot është përuruar interkonektori i cili sjell gazin nga Greqia dhe vlerësohet se do të ndikojë...

Në Bullgari sot është përuruar interkonektori i cili sjell gazin nga Greqia dhe vlerësohet se do të ndikojë për zbutjen e krizës energjetike që e pret rajonin. Me këtë rast presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, theksoi se se kjo është një mundësi e re për furnizimet me gaz jo vetëm për Ballkanin por për të gjithë Evropën Juglindore.
 
Sipas tij kjo është një ngjarje e rëndësishme sepse po ndodh në një moment vendimtar, kur rajoni dhe kontinenti ynë po përballen me parashikimin për një dimër të vështirë, rritje të inflacionit dhe papunësisë së tepruar.
 
"Interkonektori hap një portë të re, të sigurt për gazin natyror të diversifikuar, jo vetëm për vendet nikoqire, por edhe për Evropën Juglindore. Është e qartë se sa më të ndërlidhur të jemi, aq më shumë do të përballojmë sfidat energjetike. Për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm dhe për të përmbushur nevojat e bizneseve dhe amvisërive, Maqedonia e Veriut duhet të bëhet pjesë e këtij rrjeti të gazit natyror. Prandaj jemi të gatshëm të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim.Qytetarët tanë presin më pak retorikë dhe më shumë mbështetje  konkrete. Në rrethana të tilla, mënyra më e mirë për të zbutur pasojat negative në ekonomitë tona është që BE të miratojë pranimin tonë në mekanizmat, fondet dhe instrumentet e tij të menaxhimit të krizave”, u shpreh president i RMV-së, Stevo Pendarovski.
 
Radev: IGB do të ndryshojë krizën energjetike
 
Presidenti bullgar Rumen Radev theksoi se interkonjektori midis Bullgarisë dhe Greqisë në mënyrë drastike do të ndryshojë krizën energjetike të Evropës.
 
“Interkonektori midis Bullgarisë dhe Greqisë nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por një simbol i potencialit të shtuar të rajonit tonë, bashkëpunimit të suksesshëm dhe lidhjes sonë, të cilat kontribuojnë në zhvillimin tonë të qëndrueshëm përmes realizimit të strategjisë së përbashkët evropiane për më të besueshme, energji e lirë dhe e besueshme", theksoi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Von der Laen: IGB zvogëlon varësinë nga gazi rus
 
BE ka mbështetur këtë projekt  i cili do të shmangë varshmërinë nga gazi rus theksoi kryetarja e KE-së Von der Laen.
 
“BE-ja e mbështeti këtë projekt që nga dita e parë politikisht por edhe financiarisht me rreth 250 milionë euro. Sot fillon një epokë e re për Bullgarinë dhe Evropën Juglindore. Ky gazsjellës ndryshon situatën me varësinë e Evropës dhe Bullgarisë nga gazi rus”, u shpreh kryetarja e KE-së, Ursula Von der Laen.
 
Interkonektori i gazit IGB lidh rrjetin e transmetimit të gazit natyror të Greqisë pranë qytetit të Komotinit me rrjetin bullgar të transmetimit pranë qytetit Stara Zagora. Zbatimi i projektit synon të sigurojë diversifikimin jo vetëm të rrugëve, por edhe të burimeve të gazit natyror për Bullgarinë dhe rajonin më të gjerë.
 
NAIM RAMADANI