Disa të vrarë nga një shpërthim në Donjeck
Separatistët pro-rusë dhe mediat ruse raportojnë se së paku pesë njerëz janë vrarë si rezultat i një shpërthimi që ka ngjarë sot në mëngjes në një stacion të transportit publik në Donjeck të Ukrainës, qytet i kontrolluar nga separatistët pro-rusë...

Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” e ka cituar njërin nga liderët e vetëshpallur të Donjeckut, Eduard Basurin, të ketë thënë se nëntë persona janë vrarë. Një zyrtar tjetër është cituar të ketë njoftuar për pesë persona të vrarë.
Kanali shtetëror rus, “Rossia-24”, bën me dije se trembëdhjetë persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i sotëm. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet, por disa raporte bëjnë të ditur se një predhë e ka goditur një tramvaj apo një autobus.
Më shumë se 4 mijë e 800 persona janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i konfliktit në muajin prill të vitit të kaluar.
