Themelohet Fondacioni për Arsimim të Integruar

22.01.2015 14:53

Në shërbim të rritjes së cilësisë në arsim do të jetë edhe Fondacioni për Arsimim të Integruar, i cili u promovua në Shkup...

Ky fondacion, nëpërmjet mbështetjes konkrete të programeve dhe aktiviteteve, synon të sigurojë qasje të barabartë në arsim cilësor për të gjithë nxënësit, pa marrë parasysh përkatësinë fetare apo etnike, duke i promovuar vlerat e demokracisë, mirëkuptimit të ndërsjellë, dialogut, tolerancës dhe bashkëpunimit.

“Fondacioni për Arsimim të Integruar i kushton dhe ofron mbështetje arsimit përmes krijimit dhe zhvillimit të resurseve, që do të nxisin risi në arsim, do të promovojnë dhe njohin zgjidhje të përsosura të cilat në mënyrë të suksesshme do t’u përgjigjen nevojave të nxënësve, arsimtarëve, shkollave dhe shoqërisë në tërësi”- deklaroi drejtori i Fondacionit, Veton Zekolli.

Nevoja për një fondacion të këtillë është tendenca evidente për ndarjen e shkollave në baza etnike, për shkak të mungesës së programeve dhe aktiviteteve të përbashkëta të nxënësve, për shkak të mungesës së aftësive dhe kompetencave të arsimtarëve për të punuar në grupe të përziera etnike në dy gjuhë, për shkak të barrierave gjuhësore te nxënësit, por edhe paragjykimet dhe stereotipat e pranishme te nxënësit që për pasojë sjell incidentet mes nxënësve në bazë etnike.

Ndarja e shkollave, që është evidente, çon në ndarje dhe getoizim të shoqërisë, vlerësojnë nga ky fondacion. Modeli “Nansen” për arsimim të integruar aktualisht implementohet në 13 shkolla, 11 prej të cilave në Maqedoni dhe dy në luginën e Preshevës, në Bujanoc.

Ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, së shpejti projekti do të implementohet edhe në 5 shkolla të mesme profesionale. Ndërsa së shpejti ky model i arsimit, me mbështetje të qeverisë norvegjeze, do të fillojë të realizohet edhe në Bosnjë dhe Kosovë. (Gyltene Sinani, TVM2)