Maqedoni

Qendra shëndetësore e Vevçanit, dhjetëfishohen faturat e energjisë elektrike

02.10.2022 16:59

Dhjetëfishohen faturat e energjisë elektrike në qendrën Shëndetësore të Vevçanit...

Vitin e kaluar një kilovat orë në tregun e lirë ka qenë 3,7 denarë, sivjet është 37 denarë. Në entin shëndetësor publik thonë se në muajin gusht kanë marrë masa dhe kanë kursyer rreth 1000 kilovat, kanë ulur konsumin me 10%, por faturat janë shumë të larta dhe është e pamundur ti mbulojnë nga buxheti i tyre.
 
“Me këtë ritëm, duke pasur parasysh buxhetin që kemi, i barabartë apo edhe më pak se ai i vitit të kaluar dhe me gjithë përpjekjet tona, na duket se deri në fund të vitit do të jemi në një situatë shumë të vështirë nëse vazhdojmë me këtë ritëm të rritjes së çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh drejtori i qendrës shëndetësore në Vevçan, Jovan Stojkoski.
 
Një barrë shtesë është rritja e çmimit të naftës, e cila është 50% më e lartë se vitin e kaluar. Ata i kanë dërguar shkresa Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për tejkalimin e problemeve të shkaktuara nga kriza energjetike.
 
“Gjithashtu, ngrohja bazë, e cila është me bazë nafte, nuk mund të harrojmë se çmimi i naftës për ngrohje është e barabartë me karburantin dizel. Kështu që në krahasim me vitin e kaluar në atë pjesë konsumi ynë është 15 deri në 20 tonë në vit, do të kemi një rritje prej rreth 50%. Kështu që do të duhet të subvencionohemi që të mund të kryejmë aktivitetet”, theksoi Stojkoski.
 
Të gjitha institucionet publike shëndetësore do të pajisen me energji elektrike përmes shitjeve të ESM- së me çmim më të favorshëm se çmimi i bursës, ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.
 
“Çmimi i përgjithshëm i prodhimit të ESM aktualisht është diku rreth 70 euro për megavat orë dhe sigurisht shkollat fillore dhe ato të mesme do të subvencionohen me të njëjtin çmim nga Qeveria, kjo vlen edhe për klinikat dhe spitalet”, thuhet në njoftimin e shërbimit qeveritar për shtyp.
 
Kriza energjetike ka prekur të gjitha institucionet, të cilët tashmë kan filluar kursimin e energjisë elektrike.
 
ILMIJE ZHAKU