“Vizer” edhe pesë linja të reja të fluturimit drejt Evropës
Kompania Ajrore “Vizer” vendos edhe pesë linja të reja të fluturime nga Shkupi dhe Ohri drejt Evropës për 20 deri në 30 euro...

Bëhet fjalë për destinacionet Shkup-Barcelonë, Shkup-Oslo, Shkup-Hamburg, Shkup-Fridrihshafen dhe Ohër-Bazel. Fluturimet në këto destinacione do të nisin të realizohen nga fundi i qershorit dhe në fillim të korrikut.
Zëvendësdrejtori i “Vizer”, Xhon Stivenson, u shpreh se me rritjen e kuotës së “Vizerit” në Shkup dhe Ohër krijohen gjithnjë e më shumë mundësi për të udhëtuar dhe përzgjedhje më e madhe e destinacioneve.
“Shpresojmë se kjo do të rezultojë me krijimin e më shumë vendeve të punës në nivel lokal dhe akoma më shumë do të rrisë turizmin në vend. Presim që linjat e reja të mirëpriten nga qytetarët, duke pasur parasysh vetë faktin se atyre u mundësojmë edhe fluturime me tarifa të ulëta”- deklaroi zëvendësdrejtori i “Vizer”, Xhon Stivenson.
Linjat e reja të “Vizerit” janë në pajtim me marrëveshjen që kjo kompani e nënshkroi me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve më 15 janar. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, potencoi se nëpërmjet subvencionimit të linjave ajrore, në vitin 2013 numri i udhëtarëve është rritur për 236%, ndërsa vitin e kaluar janë transportuar mbi 500.000 udhëtarë, apo 50% më shumë në krahasim me 2013-ën.
“Me linjat e reja të fluturimeve dhe biletave të reja mundësuam që të vizitohen qytet më atraktive në Evropë. Mundësuam që qytetarët e Maqedonisë të ndjekin ngjarjet botërore të sportit, manifestimet kulturore, ndërsa biznesmenët të zgjerojnë kontaktet e tyre”- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
Për të promovuar linjat e reja ajrore, nga Kompania “Vizer” në bashkëpunim me koncesionarin e aeroporteve të Maqedonisë “TAV”, organizuan fluturim special falas për 50 persona të Shtëpisë për Fëmijë pa Prindër “11 Tetori” nga Aeroporti “Aleksandri i Madh” deri në hapësirën ajrore mbi liqenin e Ohrit. (Meral Ismaili, TVM2)
