Kodheli: Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

22.01.2015 15:39

Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, ndërsa inkurajon vendin për zgjidhjen e kontestit me emrin...

Këtë qëndrim ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ia përcolli sot në Shkup homologut të saj maqedonas, Zoran Jolevskit. Ajo po ashtu ka theksuar angazhim më të madh të vendit në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe uron që vendi jonë fqinjë sa më shpejt të bëhet anëtare e plotë e saj. Urojmë që sa më shpejt të zgjidhet çështja e emrit dhe të ketë një angazhim sa më serioz dhe real nga ana e Maqedonisë për implementimin e MO-së, fakt ky i nënvizuar edhe në deklaratën e Samitit të Uellsit në shtator të vitit të kaluar”- deklaroi ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli.

Zgjerimi i aleancës dhe anëtarësimi i Maqedonisë do të ndikonin në përforcimin e stabilitetit në rajon, deklaroi ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Zoran Jolevski.

“Republika e Maqedonisë i plotësoi tërësisht kushtet për anëtarësim në NATO, por nga arsye tani më të njohura nuk arritëm të marrim ftesën. Do të vazhdojmë me aktivitetet tona dhe shpalosjen e argumenteve se pse Maqedonia duhet të ftohet në aleancë. Vlerësojmë se zgjerimi i aleancës paraqet përforcim të sigurisë dhe stabilitetit në rajon”- tha ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.

Dy ministrat njëherit nënshkruan marrëveshjen për shkëmbim të kuadrove, duke u zotuar se dy vendet do të vazhdojnë të luftojnë kundër terrorizmit dhe kundër çdo rreziku tjetër që do t’u adresohet qytetarëve dhe shteteve.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, gjatë vizitës në Maqedoni u prit edhe nga presidenti, Gjorge Ivanov, kryeministri, Nikolla Gruevski dhe zëvendkryeministri, Musa Xhaferi. (Sanije Kasami, TVM2)