SHGM, fondacion për Kezharovskin
Gjykata Themelore Shkupi 1 ka pranuar kërkesën e Burgut të Idrizovës për lirimin e gazetarit, Tomisllav Kezharovski, nga vuajtja e dënimit me burg...
Gjykata bëri me dije se gazetari i përmbush kushtet ligjore për lirimin e tij, pasi ka vuajtur 90 për qind të dënimit me burg, prandaj ai nuk do të mbajë dënimin e mbetur prej 5 muajsh burg.
Kezharovski, gjatë tërë këtyre muajve kaloi nëpër ferr dhe iu shkaktuan dëme të mëdha atij dhe familjes së tij, prandaj SHGM-ja ka themeluar një fond solidar për Kezharovskin, ku do të mund të donojnë mjete gazetarët dhe të gjithë qytetarët e vendit.
"Gjatë këtyre viteve, Kezharovski kaloi nëpër ferr të vërtetë. Duke mos qenë fajtor, ai tërë kohën e kaloi në paraburgim. Ai në mënyrë stoike i përballoi të gjitha presionet dhe për këtë si gazetarë jemi shumë krenarë me të. Prandaj kjo padrejtësi që iu bë Kezharovskit i la pasoja në shëndetin e tij dhe në familje. Tani Kezharovski ka nevojë për ndihmën tonë si kurrë më parë, prandaj SHGM-ja do të nis aksion për solidaritet, në të cilin gazetarët dhe të gjithë qytetarët e vendit do të mund të dhurojnë mjete për Kezharovskin. Aksioni do të zgjasë një muaj, ndërsa mjetet mund të derdhen në xhirollogarinë e Fondit Solidar të SHGM-së”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Gazetari Kezharovski duhej të rikthehej në burg më 18 shkurt dhe të qëndronte në qeli deri më 27 qershor, por gjykata e liroi me kusht për shkaqe shëndetësore. Vendimi i tillë pasoi pas protestave të së martës, të organizuara nga SHGM-ja dhe thirrjes së organizatave ndërkombëtare për lirimin e tij.
Vendimi i fundit i Këshillit Penal pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 për lirimin me kusht të Kezharovskit nuk është përfundimtar, sepse mund të ankimohet nga Gjykata e Apelit. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
