Thaçi: Ndiqni shembullin e Prishtinës dhe Beogradit
Kosova, si aspirante për anëtarësim në strukturat euroatlantike, inkurajon dhe mbështet Maqedoninë në procesin eurointegrues...

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, u rekomandoi zyrtarëve në Shkup që të ndjekin shembullin e Prishtinës dhe Beogradit për tejkalimin e kontestit me Greqinë, çështje që ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe ka ngrirë fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
“Kosova, si synim e ka integrimin në NATO dhe BE dhe në kuadër të kësaj Shteti i Kosovës mbështet fuqishëm Maqedoninë për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në NATO, për çka shpresoj se do të arrihet marrëveshja mes jush dhe Greqisë. Mund të them si model për arritjen e kësaj marrëveshje është arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mënyrë që të tejkalojmë të kaluarën e hidhur dhe të shikojmë nga e ardhmja e përbashkët dhe e fqinjësisë së mirë”- deklaroi ministri i Jashtëm i R. Kosovës, Hashim Thaçi.
Në frymën e fqinjësisë së mirë dhe zotimit në Konferencën e Berlinit për angazhim më proaktiv në bashkëpunimin rajonal, Maqedonia dhe Kosova do të thellojnë bashkëpunimin në më shumë sfera. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti pritet të ndodhë edhe seanca e parë e përbashkët e qeverive të të dyja vendeve dhe qarkullimi i qytetarëve vetëm me letërnjoftime biometrike.
“Veç kemi propozim-platformë të parashtruar në qeveri, të cilën për një kohë të shkurtër do ta këmbejmë me Qeverinë e Kosovës dhe do të përpiqemi që në afat sa më të shkurtër kohor kjo të operacionalizohet, pasi është në interes të qytetarëve dhe qarkullimit të lirë të udhëtarëve në pikat kufitare”- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki.
“Synimi ynë është që takimi i dy qeverive të mbahet në gjashtëmujorshin e parë të këtij viti dhe në të njëjtën kohë kam besim të plotë se edhe çështja e lëvizjes së qytetarëve vetëm me letërnjoftime do të ndodhë para fillimit të verës, për arsye se është çështje procedurale dhe administrative me disa pengesa teknike. Ekziston vullneti politik, kështu që nuk shoh ndonjë pengesë që do të na frenojë në këtë drejtim që të dyja këto çështje të përmbyllen në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”- u shpreh ministri i Jashtëm i R. Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë këtij takimi, Thaçi dhe Poposki nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim mes Akademive Diplomatike.
Zëvendëskryeministri i Kosovës u prit edhe nga presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, kryeministri, Nikolla Gruevski dhe zëvendëskryeministri, Zoran Stavrevski. Në takimin me këtë të fundit u nënshkrua edhe Marrëveshja për Mbrojtjen e Investimeve. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
