Policia bastisi tre lokacione në Gostivar

22.01.2015 17:37

Në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për trafik të paligjshëm lëndësh narkotike si dhe larje parash, policia kreu sot në mëngjes bastisje në tre vende në Gostivar...

Paraprakisht, Qeveria zvicerane ka kërkuar dëshmi dhe dëshmitarë për të ndihmuar në hetimin ndaj 2 shtetasve të Maqedonisë të arrestuar në Zvicër për akuzën e mësipërme.

Sipas zëdhënësit të MPB-së, Ivo Koteski, bëhet fjalë për Sabedin Saitin nga Kumanova dhe Kujtim Aligegën nga Gostivari, të cilët kanë kanalizuar të paktën 2,5 milionë franga zvicerane. Lidhshmëria mes dy vendeve është se një pjesë e këtyre parave të fituara nga shitja e drogës, të dyshuarit e kanë dërguar në shtëpi, përmes transferimit të shpejtë të parave ose korrierëve.

“Gjatë 2014-tës, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë realizoi hetim të suksesshëm ndërkombëtar në bashkëpunim me Policinë e Zvicrës drejtuar kundër shtetasve nga Maqedonia, të involvuar në organizim të transportit dhe shitjes së heroinës në territorin e Zvicrës”- deklaroi sot zëdhënësi Koteski.

Sipas tij, si rezultat i hetimit gjatë muajit gusht nga liria u privuan 44 vjeçari, Sabedin Saiti, nga Kumanova dhe 56 vjeçari, Kujtim Aligega, nga Gostivari. Gjatë operacionit u konfiskuan rreth 25 kilogram heroinë dhe 60 mijë franga zvicerane.

Gjatë hetimit të realizuar në Zvicër u konstatua se një pjesë e parave të fituara nga shitja e drogës me transfer të shpejtë parash si dhe nga persona korrierë janë dërguar në Republikën e Maqedonisë. Siç theksojnë në Ministria e Brendshme, bastisjet në Gostivar janë kryer ndaj dy personave fizikë dhe te një agjenci turistike. Personat që janë shoqëruar sot në Gostivar, tani për tani janë në rolin e dëshmitarëve dhe kundër tyre nuk ka ndonjë aktakuzë.

Nga bastisjet e realizuara është gjetur dokumentacion për transfer të shumave të mëdha parash në emër të më shumë personave të dërguar nga Zvicra në Republikën e Maqedonisë. Një pjesë e disa dëshmive ende janë në procedurë, kurse dy personat si dëshmitarë gjatë ditës së sotme do të nxirren para gjyqtarit hetues adekuat.

Sipas Koteskit, dy të arrestuarit në Zyrih një periudhë më të gjatë kanë qenë lëndë interesi të organit të ndjekjes kantonale dhe federative për dyshim se bëhet fjalë për lojtarë të mëdhenj të tregut narkotik zviceran dhe i kanë furnizuar me heroinë dilerët e shumtë të Zvicrës, por edhe shtetet përreth.

Meqë hetimi është në rrjedhë e sipër, nga policia nuk mund të njoftojnë se sa para janë transferuar nga Zvicra nga aktivitetet e dyshimta mes dy vendeve dhe se ku kanë përfunduar ato para. (Lulzim Haziri, TVM2)