Botë
Përshkallëzohen tensionet, Koreja e Veriut lëshon raketë balistike mbi Japoni
04.10.2022 11:11
“Koreja Veriore duket se ka lëshuar një raketë. Ju lutem evakuohuni në ndërtesa apo hapësira nëntokësore”....

“Koreja Veriore duket se ka lëshuar një raketë. Ju lutem evakuohuni në ndërtesa apo hapësira nëntokësore”. Kjo ishte thirrja që zgjoi banorët në ishullin Hokaido, që u tmerruan nga zhurma e sirenave teksa Koreja e Veriut lëshoi një raketë me rreze të mesme mbi Japoni. Raketa balistike ka udhëtuar rreth 4.500 kilometra, para se të binte në Oqeanin Paqësor. Kjo largësi është e mjaftueshme për të qëlluar rajonin amerikan, Guam, nëse raketa do të merrte trajektore tjetër.
“Ishte e frikshme.”,- u shpreh një banor.
“Dëgjova sirenat dhe dola të shoh se çfarë po ndodh.”,- u shpreh një banore.
Lëshimi i raketës ka detyruar Japoninë të lëshojë alarm për disa qytetarë që të strehohen. Autoritetet japoneze e kanë përshkruar këtë lëshim rakete si “sjellje të dhunshme” .
"Ne e dënojmë fuqishëm lëshimin si një akt të egër. Kam udhëzuar zyrtarët të kontrollojnë për dëme të mundshme të shkaktuara nga objektet që bien, të mbledhin dhe analizojnë plotësisht informacionin dhe të bashkëpunojnë me aleatët.",- u shpreh kryeministri i Japonisë, Kishida Fumio.
"Ne besojmë se ajo fluturoi në një distancë prej rreth 4600 kilometrash dhe është një distancë rekord për një raketë të Koresë së Veriut. Ne nuk mund ta tolerojmë atë, e dënojmë këtë veprim me termat më të ashpër.”,- theksoi ministri i mbrojtjes i Japonisë, Yasukazu Hamada.
Kombet e Bashkuara ia ndalojnë Koresë së Veriut testimin e raketave balistike dhe bërthamore. Lansimi i raketës të martën është i pesti i kryer nga Pheniani brenda një jave. Të shtunën, dy raketa kanë rënë në ujërat jashtë zonës ekonomike të Japonisë. Testime të tilla kanë kontribuuar në rritje të tensioneve mes Koresë Veriore dhe Japonisë, që kanë rrënjët në kolonizimin e Koresë nga viti 1910 deri më 1945, si dhe rrëmbimin e qytetarëve japonezë nga veri-koreanët, në të kaluarën. Më herët gjatë këtij muaji, Koreja e Veriut ka miratuar ligjin me të cilin vetë-shpallet si shtet me armë bërthamore. Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.
LEUNORA KALIQI
