Prokuroria me aktakuzë kundër Muhamed Zekirit: Dëmtoi buxhetin për gati 1.5 milionë euro

04.10.2022 16:54

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion....

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion ka dorëzuar aktakuzë ndaj ish sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zekirit. Ai akuzohet për dy kontrata me të cilat ka dëmtuar buxhetin për gati 1.5 milionë euro.

Njëra kontratë për të cilën ndiqet penalisht ish-sekretari i përgjithshëm është për shërbime konsulente në lidhje me Postën, ndërsa tjetra është edhe për konsulencë, por edhe për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, i akuzuari akuzohet se ka kryer vepër penale të vazhduar – “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

“I akuzuari, si zyrtar – Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së RMV-së, me dashje ka kryer dy veprime të lidhura me kohën, që paraqesin realizim të shumëfishtë të të njëjtit krim. Në periudhën nga prilli 2021 deri në mars 2022, ai, duke shfrytëzuar pozitën dhe autoritetin e tij zyrtar, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik dhe në dy raste, pa kryer procedurë përkatëse për prokurim publik, në të cilën në mënyrë konkurruese, do të zgjidhej person juridik për realizimin e aktiviteteve të nevojshme, ai ka lidhur dy kontrata me dy persona juridikë si ofrues të shërbimeve.”,- sqarojnë nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

Nga prokuroria po ashtu theksojnë se para lidhjes së këtyre kontratave nuk është respektuar Ligji për Prokurim Publik, gjegjësisht nuk është kryer një prokurim publik i duhur që të mund të zgjidhet një kompani në mënyrë konkurruese.

Aokati i Zeqirit, Mirosllav Voik, thotë se ende nuk e ka marrë aktakuzën.

“Ja edhe unë njëjtë si ju përmes ueb faqeve kuptova që është dorëzuar aktakuza kundër personit. Por duhet të dini se ajo aktakuzë ka të drejtë ankese, ende nuk është i plotfuqishëm, kështu që në këtë moment gjithçka që do të thoshim do të ishte e tepërt.”,- theksoi avokati, Mirosllav Voik.

Hetimi për rastin “Zekiri” është hapur në prill të këtij viti, ndërsa pas përfundimit të tij dhe ngritjes së aktakuzës, është radha e Gjykatës Themelore Penale - Shkup që ta vlerësojë akuzën, gjegjësisht të vendos nëse e pranon atë. (Sanije Duraku, TVM2)