Poroshenko: Ukraina mbetet shtet unitar
Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, ka deklaruar se plani i ri i presidentit rus, Vladimir Putin, për paqen në Ukrainën lindore është pak më shumë se një plan për pushtim ushtarak...

Mbrëmë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Power ka thënë se “plani rus kërkon që t’i legjitimojë përfitimet territoriale”, territore të ndara nga separatistët e mbështetur nga Moska. Komentet nga Power janë bërë pas takimit të ministrave të jashtëm në Berlin të Gjermanisë, në kohën kur rebelët pro-rusë i kanë intensifikuar sulmet në Ukrainë.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se vendi i tij mbetet shtet “unitar”, me pushtet të fuqishëm qendror në Kiev dhe se synimet e tij evropiane nuk duhet të vihen në pyetje. Ai i ka bërë këto komente pasi Rusia i ka bërë thirrje Ukrainës që të heqë dorë nga një pjesë e madhe e pushtetit të saj në rajone, përfshirë provincat lindore, të cilat kryesisht kontrollohen nga rebelët pro-rusë.
Por, Poroshenko ka thënë se Ukraina kurrë nuk do të ndahet në federata.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ushtrisë ukrainase thotë se forcat qeveritare janë tërhequr nga terminali i aeroportit të Donjeckut, pozicion të cilin ata e kanë mbrojtur për muaj të tërë në konfliktin me separatistët në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se disa pjesë të aeroportit kanë mbetur nën kontrollin e forcave qeveritare dhe beteja është duke vazhduar, ndërsa ka njoftuar sot se së paku gjashtë ushtarë janë vrarë dhe 16 janë plagosur gjatë luftimeve në 24 orët e fundit.
