Botë

Putin nënshkruan ligjin për aneksim të katër rajoneve ukrainase

05.10.2022 11:18

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase....

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase.
 
Donjeku, Luhansku, Hersoni dhe Zaporizhja janë rajone që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.Ditë më parë, dokumentet për aneksim i kanë miratuar të dyja dhomat e Parlamentit rus. Putin e ka bërë të ditur vendimin për aneksim pas mbajtjes së të ashtuquajturave referendume në këto katër rajoneve. Perëndimi dhe Kievi i kanë konsideruar këto procese si mashtruese dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
 
Sipas marrëveshjeve të nënshkruara javën e kaluar, në mes të Putinit dhe zyrtarëve të mbështetur nga Moska në këto katër rajone, periudha e tranzicionit në territoret e aneksuara – ashtu që të jenë tërësisht të inkorporuara në Rusi – do të zgjasë deri më 1 janar të vitit 2026. Zgjedhjet lokale në këto territore është paraparë që të mbahen në shtator të vitit 2023. Meqë Rusia nuk i kontrollon plotësisht këto rajone, Kremlini ende nuk i ka vendosur kufijtë e rinj.