Botë
Liberalizimi i vizave për Kosovë, Burjani: Kushtet teknike janë plotësuar
05.10.2022 12:48
Kosova është shumë afër liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian....

Kosova është shumë afër liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian. Optimizmi është rritur sidomos pas deklaratës së ministres gjermane për Europë, Anna Lührmann, e cila pohoi se liberalizimi duhet të ndodhë këtë vit. Lidhur me këtë është më i qartë dhe i prerë ishte anëtari i Komisionit të Integrimeve Europiane, Agon Batusha, i cili shpreson për lajme pozitive pas 13 tetorit. Analisti, Blerim Burjani, për TVM2 ka pohuar se Liberalizimi i vizave është jetik në kuptim e lëvizjes së lirë dhe sipas tij Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara.
“Deri më tani Kosova kishte plotësuar të gjitha kushtet teknike të parapara sipas rregullativës së BE-së. Ndërsa tani po vjen një situatë kur BE-ja duhet ta japë qëndrimin saj të plotë rreth liberalizimit të vizave me Kosovën. Përveç çështjeve teknike të cilat Kosova i ka plotësuar kohë më parë tash BE-ja është në situatën kur duhet të kërkojë edhe përkrahje politike dhe votim nga Komision i Bashkimit Europian. Asnjëherë më parë nuk ka qenë më afër liberalizimi i vizave për Kosovën, dhe të gjitha kushtet e krijuara politike me Bashkimin Europian janë në dobi të Kosovës.”,- tha analisti politik nga Kosova, Blerim Burjani.
Pro Liberalizimit të vizave me Kosovën janë shprehur edhe vendet tjera të BE-së, të cilat po ashtu kanë uruar që Kosova ta tejkalojë edhe kontestin me Serbinë për njohje reciproke, që do të mundësonte të dyja vendet të ecin në rrugën euro-atlantike. Këto shpresa u ngjallën edhe më shumë pas deklaratës së përbashkët të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, të cilat kanë rikonfirmuar angazhimin e tyre të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Po këto vende kanë kërkuar nga BE që të udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi dhe kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit.
FITIM KRYEZIU
