Maqedoni

Kriza energjetike, LSDM fton VMRO-në të përkrah pakon e ligjeve

05.10.2022 15:01

Shumica parlamentare fton opozitën e kryesuar nga VMRO-DPMNE që të heq dorë nga bllokimi aktiv i Kuvendit...

Shumica parlamentare fton opozitën e kryesuar nga VMRO-DPMNE që të heq dorë nga bllokimi aktiv i Kuvendit dhe të përkrah pakon e masave për përballje me krizën energjetike. Konsiderojnë se ekzekutivi dhe shumica parlamentare kanë ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme, por për miratimin e ligjeve kanë nevojë për bashkëpunimin dhe përkrahjen e opozitës. Në një situatë të tillë LSDM fton në unitet.  
 
“Ftojmë në debllokim dhe përkrahje nga VMRO-DPMNE për ligjet që janë të rëndësishëm për përballjen më efikase me krizën por edhe për përparimin e shtetit tonë. Këtu para së gjithash janë ndryshimet e Ligjit për energjetikë, për efikasitet energjetik dhe ligji për ndërtim, me të cilët lehtësohet vënia e fotovoltaikëve. Mëndej, përkrahjen dhe debllokimin e Ligjit për garanci të detyrimeve për financim të projektit për përkrahje të likuiditetit të Elektro-Ekonomisë së Maqedonisë, në kushte të krizës energjetike, nga Banka Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim.”,- tha Martin Kostovski nga LSDM.
 
VMRO: LSDM po bllokon pr/ligjin tonë për energjetikë
 
Mirëpo opozita thotë është shumica parlamentare ajo që po bllokon pr/ligjin e tyre për energjetikë. Ndërkaq, propozimet e paralajmëruara të kryeministri Kovaçevski, para një jave, ende nuk janë në procedurë parlamentare, akuzon Milloshovski.      
 
“Shumica parlamentare, edhe pse ligji përbëhet vetëm prej tre neneve, ende na hedh mjegull syve se propozim zgjidhja ligjore e VMRO DPMNE-së po përkthehet. Përkatësisht, e stërzgjat, pasi pushteti nuk është i aftë që të parashtrojë në Kuvend pr/ligjet që Kovaçevski tha se janë emergjente, se janë gati dhe se kërkon përkrahjen tonë, ndërkaq, s’ka asnjë shenjë për ekzistimin e tyre në arkivin e Kuvendit. Është e pakuptimtë të flitet për ligje që nuk janë në Kuvend.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
 
Për të dëgjuar zgjidhjet që ofron opozita, kreu i ekzekutivit, Dimitar Kovaçevski, një ditë më parë, priti në Qeveri kreun e VMRO-së Hristijan Mickovski.         

SHPËTIM NUREDINI