Ekonomi

Banka Botërore: Inflacioni në RMV po arrin maja historike

05.10.2022 15:28

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut mund të hyjë në stagflacion, përkatësisht në rritje ekonomike të ngadaltë ose të ulët...

Ekonomia e Maqedonisë së Veriut mund të hyjë në stagflacion, përkatësisht në rritje ekonomike të ngadaltë ose të ulët, e ndjekur nga norma të larta inflacionit, parashikon raporti më i fundit i Bankës Botërore.
 
“Lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike po zvogëlojnë perspektivat e rritjes, inflacioni po arrin majat historike dhe po minon të ardhurat reale të të varfërve. Me hapësirën e kufizuar të huamarrjes dhe borxhin publik të lartë, politikat fiskale duhet të targetojnë më të cenuarit.”,- thuhet në raportin e Bankës Botërore.  
 
Baush: Paralajmërime jooptimiste, strategji urgjente
 
Paralajmërimet e këtilla të BB-së për Maqedoninë e Veriut, eksperti ekonomik Abil Baush i sheh si jo-optimiste për ekonominë vendore. Ai madje thotë se stagflacioni edhe pse është fenomen i rrallë në ekonomi, mund ti ndodhë vendit duke parë nivelin e inflacionit dhe aktivitetit ekonomik. 
 
“Nëse i shtohet inflacionit, aktiviteti ekonomik i zvogëluar që na ndodh neve, ka filluar të paraqitet në disa biznese, atëherë mund të vijmë në stagflacion. Nëse nuk arrijmë që në një kohë të gjatë të bëjmë plane dhe strategji të qarta dhe të sakta, atëherë mund të hyjmë në një faze të zvogëlimit të aktivitetit ekonomik dhe më e keqja që mund të na ndodhe është stagflacioni.”,- u shpreh eksperti ekonomik, Abil Baush.
 
Baush apelon qeverinë që seriozisht t’i merr parasysh masat të cilat i përmend Banka Botërore, në aspekt që mos të kemi impakt nga kriza, siç janë reformat strukturore në administratë dhe drejtësi, investimet kapitale të menaxhohen më mirë, të ketë investime në energjinë e ripërtërishme si dhe të ketë kontroll më të mirë të borxhit publik. 

ERSAN PAJAZITI