Maqedoni

Procesi integrues i vendit, Geer: Fqinjësia prioritare, vazhdoni me reformat

05.10.2022 16:27

Maqedonia e Veriut ka shënuar progres të caktuar drejt rrugës eurointegruese...

Maqedonia e Veriut ka shënuar progres të caktuar drejt rrugës eurointegruese, por duhet akoma të vazhdojë me reformat, ndërkaq me përfundimin e skriningut do të detektohen më së miri fushat ku duhet të intensifikohen agjenda reformuese, thotë euroambasadori Dejvid Gir.
 
Megjithatë, ai potencon se fqinjësia e mirë është politika kryesore e aderimit, duke shtuar nevojën e implementimit të plotë të marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Greqinë.
 
“Është me rëndësi të dihet se në të gjitha proceset aderuese, për çdo shtet, edhe në të kaluarën edhe tash, çështja e fqinjësisë së mirë është shumë e rëndësishme. Në kontekst të këtij shteti, raporti i fqinjësisë së mirë do të thotë implementimi i marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë nën frymën e besimit dhe atmosferës së mirë nga ana e të gjithë të involvuarve. Pra do ta përsëris tri herë: reforma, reforma, reforma, sepse qytetarët duan përfundimisht ta shohin vendi në BE.”,- deklaroi euroambasadori, David Geer.
 
Euroambasadori Gir u ndal edhe në pjesëmarrjen e shtetit tonë në mbledhjen e parë të  Bashkësisë Politike Evropiane  në Pragë. Sqaron se kjo bashkësisë nuk është asnjë lloj zëvendësimi  apo alternativë e procesit aderues për Maqedoninë e Veriut. 
 
Strazrurg: Mariçiq diskuton me eurodeputetë raportin BE-RMV
 
Eurointegrimi i vendit temë diskutimi edhe në mesin e deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg. Zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq në kuadër të mbledhjes së komitetit të përzier diskuton rrjedhën e procesit integrues si dhe pasqyrën e skriningut shpjegues.
 
“Rast i mirë për të treguar çfarë kemi bërë deri tani, hapat dhe reformat për integrim në BE nën një frymë të re me fillimin e bisedimeve, si rrjedh procesi dhe çka janë hapat e mëtutjeshëm. Presim të ketë konkluza të harmonizuara  që do të japin në njëfarë mënyre përkrahje dhe motivim për qeverinë dhe për ekipin që punon për skriningun në Bruksel.”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.
 
Klasteri i parë për pesë kapitujt fondamental tashmë ka përfunduar, ndërkaq radhën për analiza e mbajnë temat që bien në klasterin e tregut të brendshëm.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU