Maqedoni

Rasti “Zhan Mitrev”, Prokuroria: Dha garanci prej 1 mln euro se nuk do të arratiset

05.10.2022 16:49

Me 1 milion euro para të gatshme, mjeku Zhan Mitrev, i cili është edhe pronar i klinikës me të njëjtin emër...

Me 1 milion euro para të gatshme, mjeku Zhan Mitrev, i cili është edhe pronar i klinikës me të njëjtin emër, para Gjykatës Penale ka garantuar se nuk do të largohet nga vendi, njoftoi kreu i Prokurorisë së Shkupit, Gavril Bubevski. Si masë garancie dhe dyshimi për rrezik arratisjeje, edhe Zhan Mitrev mbeti pa pasaportë që nga 12 gushti, pasi e njëjta iu konfiskua më pak se një muaj pas publikimit të dokumentarit “Gjaku i pistë” nga IRL. Sipas Bubevskit, deri më tani janë dëgjuar 80 për qind e pacientëve që kanë raportuar se janë dëmtuar. Procedura Hetimore duhet të përfundojë për dy deri në tre muaj.
 
Laboratori i Reporterëve Hulumtues prezantoi dëshmi të pacientëve me COVID-19, që iu nënshtruan metodës së hemofiltrimit nga klinika “Zhan Mitrev”, pa u njoftuar se kanë qenë objekt i një prove klinike. Hulumtimi i IRL-së tregoi se për këtë lloj trajtimi pacientët kanë paguar 12 mijë euro paradhënie vetëm për t'u shtruar në spital. Gjithashtu, studimet klinike që janë kryer në spital me bazë hemofiltrimi nuk janë raportuar në Agjencinë e Barnave dhe pacientët nuk e kanë ditur se janë objekt i një eksperimentimi. Edhe  Ministria e Shëndetësisë formoi një grup punues për të hetuar se si pacientët me COVID-19 janë trajtuar me hemofiltrim. Janë siguruar 560 dosje dhe komisioni përbëhet nga mjekë specialistë të 4 klinikave shtetërore. Raporti përfundimtar pritet  të jetë gati për 18 muaj.

GYLTENE SINANI