Maqedoni
Radushë, kënd lojërash për fëmijët me nevoja të veçanta
05.10.2022 17:11
Për herë të parë fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë këndin e tyre të lojërave pranë Shkollës Fillore “Faik Konica” në fshatin Radushë...

Për herë të parë fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë këndin e tyre të lojërave pranë Shkollës Fillore “Faik Konica” në fshatin Radushë të komunës së Sarajit. Këndi i lojërave është i përshtatshëm për fëmijë me lëvizje të reduktuar ose me karrige në rrota.
Përveç këndit të lojërave janë bërë disa intervenime mbi 14 dhoma senzorike, teknologji asistive dhe materiale didaktike për lehtësimin e punës së nxënësve me aftësi të kufizuara.
“Qëllimi i këtij këndi është që ne së bashku të mund të përmirësojmë infrastrukturën e shkollave, me qëllim që të kemi një qasje më të suksesshme që këto fëmijë të inkuadrohen. Përndryshe, projekti ndan 472 bursa në nivel të Maqedonisë, një ndër komponentët tjerë është intervenimi nëpër institucionet që ku si bazë është pjesëmarrja e bursistëve tanë dhe në këtë shkollë kemi 3 bursistë dhe kjo është arsyeja pse e kemi marrë këtë iniciativë.”,- deklaroi kryetari i Shoqatës “Handimak”, Adem Idrizi.
“Ne e përshëndetëm këtë iniciativë, ndihmuam dhe përkrahëm nga sektori i biznesit që të tregojmë që në këto kohëra të vështira ku biznesi ballafaqohet me sfida të ndryshme ,ka hapësirë për të investuar për të përmirësuar jetën e qytetarëve në përgjithësi.”,- theksoi drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Albiz”, Besir Dërnjani.
“Ky bashkëpunim sigurisht se do të vazhdojë edhe në shkollat tjera në përmirësimin e kushteve sa më të mira të nxënësve.”,- u shpreh Muhamet Ramadani nga komuna e Sarajit.
“Kjo do t’u shërbeje krejt nxënësve, krejt qytetarëve të fshatit Radushë dhe besoj që nuk do të ngelemi me kaq, edhe parafolësit thanë që do të punojmë edhe më shumë që të kemi kushte më të mira dhe do ta rregullojmë dhomën sensorike për ata nxënës që të inkuadrohen dhe të kyçen në procesin edukativo-arsimor.”,- deklaroi drejtori i Shkollës Fillore “Faik Konica” – fshati Radushë.
Projekti “Bëhu In, Bëhu Inkluziv, Bëhu i Gjithëpërfshirë” financohet nga BE dhe realizohet nga Fondacioni “Hap pas Hapi” dhe shoqatat “Inkluziva”, nga Kumanova dhe “Handimak” nga Tetova.
VLORA LATIFI TOPOJANI
