Botë

Begaj përfundoi konsultimet me përfaqësuesit e partive për datën e zgjedhjeve lokale të vitit 2023

06.10.2022 17:18

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka përfunduar procesin e konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike...

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka përfunduar procesin e konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike për dekretimin e datës së zgjedhjeve lokale të vitit 2023, që pritet të jetë 14 maji. Në përfundim të takimit me presidentin, kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla nuk dha një datë preferenciale për zgjedhjet, por tha se do t’i bindet dekretit.
 
“Presidenti duhet të marrë në konsideratë të gjitha propozimet, ne jemi të gatshëm që të marrim në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato në secilën datë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
 
 Data nuk është problem as për kreun e PDIU Shpëtim Idrizi. I vetmi shqetësim që ia përcolli edhe presidentit, ishin vonesat në reformën zgjedhore dhe territoriale.
 
“Nuk është e rëndësishme data. Kemi një reformë zgjedhore që po vonon të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHRIT dhe reforma territoriale që duhet përfunduar, duke marrë në konsideratë të gjitha palët. Këto janë shqetësimet tona”, theksoi kreu i PDIU Shpëtim Idrizi.
 
 Sipas ligjit zgjedhor harku kohor kur mund të zhvillohen zgjedhjet lokale është në datat 15-prill-15 maji 2023 dhe data që duket se ka gjetur dakordësinë e palëve është 14 maji 2023. Kjo datë, i jep kohë miratimit të ndryshimeve të hartës territoriale dhe adresimit të ndryshimeve përkatëse ligjore në kodin zgjedhor.
 
LULJETA NDOKA