Hyseni dhe Jankullovska: Së shpejti kalimi i kufirit me letërnjoftime
Pas deklaratës së djeshme në Shkup të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti qytetarët e dy vendeve do të mund ta kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime edhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Skender Hyseni dhe ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, gjatë takimit të sotëm në vendkalimin kufitar Bllacë dhanë të njëjtin mesazh...

“Nga ana jonë kemi kryer një projekt marrëveshje dhe presim komente dhe shpresoj se shumë shpejt palët në nivel teknik do të takohen dhe do të harmonizohet teksti përfundimtar i marrëveshjes i cili do të nënshkruhet. Ambasadat tona dhe ambasadorët e dy vendet janë duke bërë punë të shkëlqyeshme, që kjo të ndodhë sa më shpejt dhe unë shpresoj se këtë marrëveshje mund ta kemi gati më së largu deri te mbajtja e takimit të të dyja qeverive, që parashihet që ajo të ndodhë në pjesën e parë të këtij viti”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni.
“Pas përfundimit të këtyre bisedimeve, presim që në një mundësi të përshtatshme të nënshkruajmë marrëveshjen për lehtësimin e kalimit kufitar. Me realizimin e këtij projekti do t’ua lehtësojmë qytetarëve dukshëm lëvizjen e tyre nga të dyja anët”- tha ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Në kuadër të vizitës së tij, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Hiseni, së bashku me homologen e tij të Maqedonisë, Jankullovskën, lëshuan në përdorim kontakt-qendrën në terminalen kufitare në Bllacë. Me hapjen e kësaj qendre do të mundësohet qasje e lirë dhe bashkëpunim më efikas mes dy vendeve, me ç’rast do të mundësohet shkëmbimi i informacioneve.
Kontakt-qendra në Bllacë është një arritje domethënëse në luftën kundër kërcënimeve transnacionale mes dy shteteve dhe është një shembull i suksesshëm i bashkëpunimit dhe mirëbesimit të ndërsjellë. (Rexhep Qamili, TVM2)
