Maqedoni
Hapet qendra bullgare në Ohër, MPJ apelon për sjellje të matur dhe dinjitoze
07.10.2022 12:21
Me rastin e paralajmërimit të hapjes së shoqatës së re të qytetarëve në Ohër...

Me rastin e paralajmërimit të hapjes së shoqatës së re të qytetarëve në Ohër, si dhe thirrjeve publike për të shprehur protestë kundër saj, Ministria e Punëve të Jashtme apelon tek të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.
“Maqedonia e Veriut, si një vend demokratik ku liritë dhe të drejtat e njeriut dhe qytetarit janë ngritur në nivelin e vlerës themelore të Kushtetutës dhe shtetësisë, do të vazhdojë të mbrojë të drejtën e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve për të shprehur, kultivuar dhe zhvilluar identitetin etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar, si dhe lirinë e besimit, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit. Në këtë kontekst, i lusim të gjitha palët që të përmbahen nga përpjekjet për keqpërdorim me të drejtat dhe liritë e tyre, veçanërisht t’u ikin provokimeve dhe mohimit të të drejtave dhe lirive të të tjerëve.”, thuhet në apelin e MPJ-së.
“E majta” ka bërë thirrje për protestë për shkak të hapjes së Klubit “Mbreti Borisi i Tretë” në Ohër. Kjo parti, përmes degës së Ohrit ka dorëzuar nismë për të ndaluar këtë shoqatë bullgare, që sipas tyre mban emrin e bashkëpunëtorit të Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore. Protestën e ka mbështetur edhe VMRO-DPMNE. Për këtë protestë të paralajmëruar, ka pasur reagime edhe nga Sofja zyrtare.
Ministri i Jashtëm, Nikollaj Milkov, ka theksuar se çështjet duhet të zgjidhen konform Traktatit të Miqësisë.
