Fillon definimi i statusit të banesave sociale

23.01.2015 17:54

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve së bashku me Shoqatën Aksionare për Ndërtim dhe Menaxhim me Banesat, do të rregullojë statusin e mbi 2 mijë e 500 banesave...

Këtu përfshihen tre grupe të banesave: banesa sociale që iu janë ndarë qytetarëve në vitet e 90-ta, banesat që iu janë ndarë në vitin 2006 personave me të ardhura të ulëta mujore dhe grupi i tretë janë banesat që janë uzurpuar nga persona në mënyrë të jashtëligjshme. 

“Të gjithë të punësuarit e shoqatës aksionare do të shkojnë në terren prej dere në derë që t’ua prezantojnë risitë qytetarëve dhe që t’u bëjnë thirrje që të dorëzojnë kërkesë. Gjithashtu jemi duke organizuar që një pjesë të dokumenteve që mund t’i sigurojmë ne, ato t’i sigurojmë që të mund qytetarët vetëm me një kërkesë të nisin procedurën. Ne syçelë do të përcjellim situatën, që të jemi të sigurt që secili qytetarë që banon në këto banesa të dorëzojë kërkesë”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.

Përpos në terren, nga shoqata janë mobilizuar që për më shumë informacione qytetarët të drejtohen në zyrat rajonale.

“Zyrat në njësitë tona rajonale do të punojnë të hënave, mërkurave dhe të premteve, prej në orën 8 e 30 të mëngjesit deri në orën 19 në mbrëmje, duke pasur parasysh faktin se qytetarët janë të zënë deri rreth orës 16 e 30. Qytetarët do të mund që të marrin informacione në këto zyra”- tha drejtori i Shoqatës Aksionare për Ndërtim dhe Menaxhim me Banesat, Cvetko Grozdanov.

Qytetarët që do të duan ta blejnë banesën, për të do të paguajnë 800 euro për metër katrorë. Çmim jo më pak se 600 euro për metër katrorë do të paguajnë banorët e qyteteve të tjera të Maqedonisë.

Ndërsa vlera e qirasë do të varet nga të ardhurat që realizon familja, ndërsa rastet sociale janë të liruara nga qiraja. Aksioni për informim të qytetarëve do të zgjasë një muaj, ndërsa dorëzimi i kërkesave do të duhet të bëhet deri më 31 mars. Shfrytëzuesit e banesave sociale nëse nuk i përmbahen obligimit ligjor, atëherë do të sanksionohen me marrjen e të drejtës për blerjen e banesave. (Meral Ismaili, TVM2)