Botë
Liberalizimi i vizave, KE: Kosova i përmbushi të gjitha kushtet
07.10.2022 13:05
Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument...

Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë raporton se ka pasur qasje në këtë dokument, i cili do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel.
“Kosova ka vendosur një kornizë të fuqishme ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’u përballur me rreziqet e sigurisë dhe ato nga migracioni. Kjo ishte konfirmuar edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit në kuadër të paketës së zgjerimit.”, thuhet në konkluzat e dokumentit që u është dërguar vendeve anëtare si non-paper.
Në të njëjtin dokument konfirmohet se Kosova ka vazhduar të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
“Si rrjedhojë, baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim të shkurtër mbetet tërësisht i vlefshëm.”, konkludohet në fund të këtij raporti.
Komisioni Evropian konstaton trend pozitiv edhe në numrin e refuzimit të dhënies së vizave për qytetarët e Kosovës nga vendet e BE-së, si dhe rënien e numrit të azilkërkuesve të rrejshëm. Të gjitha këto të dhëna që janë përmendur në dokumentin që e ka dërguar Komisioni Evropian, do të shërbejnë për Këshillin e BE-së i cili më 13 tetor nis procedurën që ka për qëllim finalizimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
