Botë

Agresioni rus në Ukrainë, Europa tregon unitet për izolimin e Rusisë

07.10.2022 13:58

Pamja e 40 liderëve europianë në Pragë rreth presidentit francez Macron, ofroi një imazh simbolik...

Pamja e 40 liderëve europianë në Pragë rreth presidentit francez Macron, ofroi një imazh simbolik të unitetit në kontinentin e përballur me krizën e sigurisë më të rëndë në dekada dhe e bënë samitin inaugurues të Komunitetit Politik Europian, një sukses fillestar për kreun e Elizesë që propozoi idenë pak muaj më parë. Mesazhi kryesor i përcjellë në këtë takim të parë, ishte izolimi i Rusisë. 
 
“Mesazhi i pari i fuqishëm që duam të përcjellim është se ne kemi treguar unitetin e 44 shteteve europiane të cilat e kanë thënë qartë se dënojnë agresionin rus dhe mbështesin Ukrainën. Europa është e përçarë mbi disa çështje, por këtu jemi të gjithë të bashkuar.”, tha Emmanuel Macron President i Francës.
 
Presidenti ukrainas, Zelensky, duke iu drejtuar pjesëmarrësve nëpërmjet një video lidhjeje, u bëri thirrje udhëheqësve që ta shndërrojnë komunitetin e ri politik në një “komunitet evropian të paqes”. 
 
“Gjatë 225 ditëve të kësaj lufte të plotë ne kemi treguar se Europa mund të influencojë në çështjen e luftës dhe paqes. Por tani, të gjithë së bashku duhet të veprojmë në mënyrë që formula e luftës të bllokohet plotësisht dhe ajo e paqes të përmbushet.”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.
 
Takimi i radhës pritet të mbahet në Moldavi, fqinjin e vogël të Ukrainës, ndërsa më pas planifikohet të vazhdojë në Spanjë dhe në Britaninë e Madhe. 
 
FLUTURA LATIFI