Botë

Pushteti pranon kërkesë e opozitës, për hapjen e dosjeve të ish sigurimit të shtetit

07.10.2022 17:19

Mazhoranca pranon kërkesën e Partisë Demokratike për hapjen e dosjeve të ish- sigurimit të shtetit...

Mazhoranca pranon kërkesën e Partisë Demokratike për hapjen e dosjeve të ish- sigurimit të shtetit, por me kusht, duke mos lejuar akses të plotë në to. Pikërisht kushti i vendosur nga opozita, solli përplasje mes palëve në Komisionin e Ligjeve.
 
“Duhen hapur 100% të dosjeve dhe përjashtim 100% të atyre që kanë përlyer duart me gjak duke qenë pjesë e ish sigurimit të shtetit”, u shpreh deputeti i PD-së, Gazment Bardhi.
 
“Ligji thotë jo cenim kombëtar, s’mund të kemi cenim kombëtar.  Ne për këtë që thoni ju kemi propozuar ligjin e de spiunizimit. Kemi që prej 2015 pro hapjes së dosjeve. Ju nuk e votuat hapjen e dosjeve në 2015-ën”, theksoi deputetja e PS-së, Ermonela Felaj.
 
 Debati shkoi edhe më tej, duke nxjerrë në skenë edhe emrin e Ilir Metës.
 
“E vërtetë, ne nuk e kemi votuar në 2015, pasi ju e futët pikën katër në nenin 29, që vendosët për hatër të Ilir Metës në aleancë me ju. Ne kemi qenë për lustracion të plotë”, theksoi Bardhi.
 
“Ne po e thellojmë hapjen e dosjeve. Kërkojmë që Çertifikatat e pastërtisë Mezini e Bezhani të mos vlejnë më, pra po shkojmë më tutje.  Nuk kanë kufizime mediat dhe studiuesit, barrierat për mediat dhe kërkuesit kanë rënë”, u shpreh Felaj.
 
“Ne duam një ligj që bënë më shumë mirë sesa dëm. Jemi dakortë me idenë tuaj”, u shpreh deputetja e PS-së, Klotilda Bushka.
 
Këto ndryshime ligjore në tërësi do i hapnin rrugë autoritetit të dosjeve të skanojnë figurën e Ilir Metës, të ish kryeministrit Berisha, i akuzuar për lidhjet e tij me Partinë Komuniste.
 
LULJETA NDOKA