Analistët: Bisedimet Kosovë-Serbi, shembull për Maqedoninë

23.01.2015 17:59

Me vullnet të klasës politike, qoftë në Maqedoni apo Greqi, mund të ndryshojë formati i bisedimeve për çështjen e emrit, përkatësisht të zhvendoset në institucionet e BE-së dhe të zhvillohet sipas shembullit të bisedimeve Prishtinë-Beograd...

Kështu thotë analisti politik, Ismet Ramadani, duke komentuar deklaratën e kryediplomatit kosovar, Hashim Thaçit, në Shkup se Maqedonia dhe Greqia mund të kapërcejnë ngërçin e tyre politik duke përdorur modelin Kosovë-Serbi. Sipas Ramadanit, me një suport të SHBA-ve dhe Brukselit mund të gjinden mekanizma për t’i detyruar palët në ndryshim të formatit të bisedimeve.

“Mendoj se mirë do të ishte të zhvendoset çështja e emrit si problem në Komisionin apo Bashkimin Evropian, ku me siguri do të ishte mirë të kyçen edhe SHBA-të edhe në një diplomaci dhe në disa takime shumë intensive me presion, duke i dëgjuar kuptohet argumentet e njërës dhe tjetrës palë, mendoj se do të ishte zgjidhja më e shpejtë, pa marrë parasysh se ndoshta do të ishte e dhimbshme për njërën apo tjetrën palë për disa çështje, por pa kompromis kjo çështje nuk zgjidhet”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.

Ndonëse për zgjidhjen e problemeve nuk ka ndonjë formulë absolute sepse ato janë të natyrave të ndryshme, megjithatë shembulli i bisedimeve Kosovë-Serbi dhe ai Kroaci-Slloveni mund t’i shërbejë Maqedonisë në tejkalimin e problemeve, vlerëson edhe analisti politik, Naser Zyberi.

“Besoj se po të ekzistojë vullnet politik në klasën politike maqedonase në Shkup edhe ky model mund të aplikohet, sepse është një model i negociatave sistematike në kontinuitet dhe mund të jetë një model që mund t’i shërbejë Maqedonisë për ta tejkaluar këtë pengesë, por po e përsëris se edhe një herë problemi kyç pse Maqedonia e ka këtë situatë dhe këtë status kuo është mungesa e vullnetit politik e Shkupit zyrtar, në rend të parë e palës maqedonase”- tha analisti politik, Naser Zyberi.

Ndërkohë, porosia e funksionarëve të lartë nga Tirana dhe Prishtina që vizituan Shkupin gjatë kësaj jave për sa i përket zbatimit të MO-së, përfaqësimin e drejtë, ndarjes e buxhetit dhe marrëdhënieve ndëretnike, Zyberi dhe Ramadani vlerësojnë se janë konstruktive dhe në funksion të integrimeve rajonale. (Naim Ramadani, TVM2)