Kodheli takoi Thaçin dhe vizitoi Ahmetin në shtëpi

23.01.2015 18:08

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli, sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçin, në selinë e kësaj partie në Tetovë...

Çështjet aktuale politike, rëndësia e integrimeve euroatlantike të vendit dhe rajonit, si dhe tema të tjera politike janë diskutuar mes dy bashkëbiseduesve.

Kryetari i PDSH-së, Thaçi, informoi ministren Kodheli për situatën e shqiptarëve në Maqedoni, duke potencuar mungesën e perspektivës dhe të investimeve në rajonet e banuara me shqiptarë. Thaçi gjithashtu theksoi se Partia Demokratike Shqiptare është tërësisht e pakënaqur me mos- implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe nga mënyra institucionale e varfërimit të shqiptarëve nga ana e kësaj qeverie.

Po ashtu, kreu i PDSH-së në takim theksoi përcaktimin strategjik të marrëdhënieve me Shqipërinë në përputhje me aspiratat e shqiptarëve për integrimet euroatlantike, mbase edhe vizioni i përbashkët i shqiptarëve është integrimi i plotë në Bashkimin Evropian dhe NATO, duke i shërbyer kështu mbarëvajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Dy bashkëbiseduesit vlerësuan se integrimet euroatlantike të vendit dhe rajonit janë me interes të veçantë për shqiptarët.

Ministrja shqiptare e Mbrojtjes në agjendën e saj kishte edhe takimin me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, por për shkak të aksidentit në trafik që pësoi lideri i BDI-së, ministrja Kodheli e vizitoi Ahmetin në shtëpinë e tij në Zajaz, pasi që Ahmeti mbrëmë u lirua për kurim shtëpiak nga Spitali i Tetovës. (Miftar Emini, TVM2)