Greva vë në pikëpyetje testimin ekstern

23.01.2015 18:15

Greva e të punësuarve në arsim ka hyrë në ditën e katërt dhe ajo dita-ditës po siguron përkrahje më të madhe, bëjnë të ditur nga SASHK-u....

Kryetari i Sindikatës, Jakim Nedellkov, deklaroi se grevës i janë bashkangjitur edhe disa shkolla.

“Përveç Kumanovës, grevës iu janë bashkangjitur edhe Likova, komunat Qendër, Çair, Butel, Karposh, Kisella Vodë, Gazibabë, Studeniçan, Sopishtë, Saraj, Haraçinë, Tetovë, Bogovinë, Tearcë, Mavrovë, Zhelinë, Gostivar, Strugë, Dibër, Manastir, Strumicë dhe çdo ditë e më tepër greva po masivizohet”- deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.

Po ashtu, nga SASHK-u njoftojnë se profesorët e përfshirë në grevë nuk do të realizojnë testimin ekstern, i paraparë të mbahet të hënën.

“Profesorët të cilët janë të përfshirë në grevë, në pajtueshmëri me ligjin, nuk do të zbatojnë testimin ekstern. Askush nuk mundet t’i urdhërojë që të punojnë gjatë kohës së grevës”- tha Nedellkov.

Profesorët e Gjimnazit “Zef Lush Marku” janë decid, greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ata thonë se edhe përkundër paralajmërimeve, akoma nuk janë zëvendësuar nga kolegët  që nuk përkrahin grevën.

“Momentalisht nuk kemi nxënës që të kemi zëvendësime, por edhe po të ketë zëvendësime, nxënësit tanë janë të vetëdijshëm, nuk besoj se pranojnë t’u ligjërojë dikush tjetër përveç profesorëve të tyre”- u shpreh kryetari i Sindikatës, Ruzhdi Ibrahimi.

Ndërkohë, nga Qendra Shtetërore e Provimeve janë të vendosur se testimi ekstern, pa marrë parasysh grevës, do të realizohet. Në shkollat ku mbahet grevë drejtorët e shkollave janë menaxher dhe ata duhet të organizojnë se kush do të realizojë testimin ekstern, theksojnë nga Qendra Shtetërore e Provimeve. (Flutura Latifi, TVM2)