Kriza energjetike, Selmani: VMRO kërkon pjesë nga kulaçi

09.10.2022 16:19

Kriza ekonomike dhe energjetike.....

Kriza ekonomike dhe energjetike nuk shfrytëzohet vetëm për politikë ditore. Për tejkalimin e kësaj krize në qarkullim vihen miliona euro para publike dhe rrjedhimisht edhe opozita kërkon të përfitojë nga kulaçi, thotë profesori universitar Bashkim Selmani.

Sipas tij, edhe bllokimi aktiv i Kuvendit dhe qasja e paralajmëruar ndaj pakos së masave antikrizë nga opozita e kryesuar nga VMRO DPMNE si dhe ofrimi i zgjidhjeve dhe kompanive që mund të ofrojnë energji me çmim më të lirë, ka për qëllim përfitimet në llogari të opozitës dhe Mickovskit.

Selmani, dyshon se kryesia e re e VMRO DPMNE-së vazhdon me qasjen e njëjtë të ish liderit të tyre Nikolla Gruevski ndaj fondeve publike.

Nëse analizohet në kontinuitet do të shohim se ai vazhdimisht me gjithë ato dëme që i shkaktoi funksionimit të Kuvendit janë shumë të larta dhe ne si qytetar e shohim si përfitime individuale drejtpërsëdrejti të liderit të VMRO-së sesa të jetë ajo që është interes publik. Tash po i njëjti, lideri aktual, insiston që pikërisht politikën ditore, partiake dhe shtetërore ta vë në ingerenca të përfitimit të tij institucional duke bashkëpunuar në emër të krizës.” – tha Profesori universitar, Bashkim Selmani.        

Kriza energjetike, Selmani: Bashkëpunimi real, i vështirë

Pavarësisht kostos që i faturohet taksapaguesve me këtë qasje politike, një bashkëpunim i mundshëm në perspektive, mes pushtetit dhe opozitës, për të tejkaluar krizën energjetike, duhet të ndodh thotë, profesori Selmani.

“Por si do që të jetë, është interes i përgjithshëm, të paktën, të mos bllokohen institucionet, Kuvendi, ligji dhe të arrihet deri te synimi. Nesë do të jetë një situatë bashkëpunimi reale, do të shihen rezultatet, por ne kemi dilema shumë të larta që një gjë e këtillë mund të ndodh në bashkëpunimin pozitë-opozitë ndaj interesave të përbashkëta.” – u shpreh Selmani.     

Ndryshe, opozita maqedonase vazhdon me bllokimin aktiv të Kuvendit, ndërkaq për tejkalimin e krizës energjetike kërkon nga pushteti që të pranojë propozimet e saj antikrizë. Ekzekutivi paralajmëroi pakon e re të ligjeve antikrizë dhe ftoi në unitet. (Shpëtim Nuredini, TVM2)