Stoltenberg: Terrorizmi nuk i përket asnjë feje apo kombi

23.01.2015 18:19

Terrorizmi nuk i përket asnjë feje apo kombi, NATO me partnerët e saj vazhdon të luftojë terrorizmin si fenomen, deklaroi në Prishtinë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg...

“Terrorizmi nuk njeh kufi, s’i përket asnjë kombi të caktuar apo feje dhe ne jemi duke e luftuar terrorizmin bashkë më kombet dhe me shumë institucione tjera ndërkombëtare. Sulmet që i pamë në Paris disa javë më parë, ishin shumë serioze, sepse ishte një sulm në njerëz të pafajshëm dhe për më tepër sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe shoqërisë sonë të hapur”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Këto komente sekretari i përgjithshëm i NATO-s i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën, me ç’rast edhe ky i fundit shprehu gatishmërinë që edhe Kosova të japë kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit.

“Për të ndihmuar bashkëpunimin rajonal, sigurinë në rajonale dhe për të dhënë kontributin tonë kundër terrorizmit dhe për paqe në Evropë dhe botë”- tha kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Stoltenberg, është pritur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifet Jahjaga, me ç’rast ka marrë mbështetje se KFOR-i do të vazhdojë të angazhohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)