Kurti, pas “Qasjes së re”, optimist për marrëveshje

09.10.2022 19:22

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.

Kurti ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel, është krijuar një qasje e re, duke përmendur kornizën e përgjithshme të marrëveshjes.

Sipas tij, “dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim të krizave, por dialogu duhet të jetë për marrëveshje”.

“Tani jemi futur në një fazë të re, prej 18 gushtit të këtij viti. Kjo është fazë e re sepse tema e parë në zyrën e Borrell në Bruksel ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Pra dialogim për marrëveshje, do të diskutojmë kornizën. Tani unë jam shumë më optimist, sepse, krahasuar me të kaluarën, kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit, dhe po shndërronte këtë çështje në motivim për zvarritje të procesit, tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por në qendër të marrëveshjes”.

Ai i ka bërë këto deklarata në kuadër të seminarit të 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s që është mbajtur këtë herë në Prishtinë.