Bejta takon përfaqësuesit e EVN-së
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, realizoi sot një takim pune me anëtarin e bordit drejtues të EVN Maqedonisë, Igor Gievskin, me ç’rast vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston midis të dyja institucioneve, bashkëpunim ky që shkon në interes të qytetarëve të Gostivarit dhe rrethinës...
Në këtë takim u bisedua për investimet e kryera nga ana e EVN-së në rajonin e Gostivarit gjatë vitit 2014, por edhe investimet e planifikuara për vitin 2015. Duke potencuar bashkëpunimin e mirë me përfaqësuesit e kompanisë EVN, kryetari Bejta shprehu mirënjohje për investimet që i bën kompania EVN në qytetin e Gostivarit për ta përmirësuar rrjetin e shpërndarjes së rrymës elektrike.
“Me EVN Maqedoni deri tani kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe këtë së bashku e bëjmë në interes të qytetarëve për furnizimin e rregullt dhe cilësor me energji elektrike. Edhe një herë apeloj për pagimin e rregullt të faturave, sepse në këtë mënyrë do të vazhdojnë investimet e kësaj komune në komunën tonë”- deklaroi kryetari i Gostivarit, Nevzat Bejta.
Nga ana tjetër, Igor Gievski-anëtar i bordit drejtues të EVN Maqedonisë, tha se EVN-ja do të vazhdojë të zhvillojë dhe modernizojë rrjetin e shpërndarjes në rajonin e Gostivarit, me qëllim që të përmbushë kushtet e nevojshme për amvisëritë dhe industrinë. “Qëllimi ynë kryesor është që të gjithë të furnizohen me energji elektrike kualitative të sigurt”- u shpreh Gievski. Ai potencoi se për vitin 2015, EVN planifikon që të bëjë investime të reja në rrjetin e shpërndarjes në rajonin e Gostivarit dhe rikonstruktimin e rrjetit largpërçues në disa fshatra të zonës.
Ndërsa zëdhënësja e EVN-së, Vlera Gjakova, e prezantoi programin investues për zhvillim të rrjetit distributiv në rajonin e Gostivarit.
EVN Maqedoni e ka rikonstruuar edhe rrjetin distributiv në rajonin industrial të Gostivarit, me çka direkt e mbështet zhvillimin e zonës industriale. Investimi deri më tani ka rritur shumën në 250 mijë euro. (Lulzim Haziri, TVM2)
